Mesfushori francez ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me kuqezinjtë, pas vizitave mjekësore
Mungonte vetëm zyrtarizimi për t'i dhënë nisjen historisë së dashurisë mes Metju Flaminisë dhe Milanit, njoftim, që pas vizitave mjekësore erdhi në mënurë të përpiktë: "Klubi i Milanit komunikon se ka nënshkruar një kontratë që do ta lidhë futbollistin francez Metju Flamini me klubin kuqezi, nga 1 korriku 2008, deri më 30 qershor 2012-të." Katër vjet kontratë per rreth 4 milionë euro në sezon dhe një fat i ri: do të bëhet me siguri zemra e mesfushës milaniste, sidomos nëse lamtumira e mundshme e Gatuzos do të konkretizohej.
Dita e parë si milanist e Metju Flaminisë ka nisur dje në orën 8:20. Mesfushori i Arsenalit, që Milani e bleu për 4 sezone dhe do t'i japë thuajse 4 milionë euro në sezon, i zhvilloi vizitat mjekësore në klinikën private "La Betulle" në Apiano Xhentile (Komo). Menjëherë pas ardhjes së tij, ai lëshoi komentin e shpejtë "Jam shumë i kënaqur, shumë faleminderit!", sa për të mbështetur kënaqësinë e lëvizjes më të rëndësishme në karrierën e tij.
FIRMA - Flamini doli nga klinika para orës 12:00, për të shkuar në Milanelo dhe për të vazhduar testet e tjera me MilanLab-in. Gjatë pasdites ka pushuar në kampingun kuqezi dhe në mbrëmje ka nënshkruar kontratën e re me kuqezinjtë. Në të vërtetë, mesfushori francez 24-vjeçar mbërriti që të dielën në mbrëmje në Milano dhe darkoi me Adriano Galianin e Ariedo Braidën në një restorant të njohur në qendër të Milanos. Pas firmës, Flamini fluturoi menjëherë drejt Londrës. Lidhur me ardhjen e tij, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galiani, saktësoi diçka: "Flamini ka ardhur te Milani për ta fuqizuar skuadrën, dhe jo për të zëvendësuar Gatuzon, sepse ai mbulon shumë role në mesfushë."
DERBI - Fitorja në derbi ndaj Interit e lejon Milanin ta zhvendosë merkaton e verës në mënyrë krejt ndryshe. Nëse kuqezinjtë nuk humbasin pikë rrugës për zonën Champions, shumë bisedime që po zhvillohen për merkaton mund të përshpejtohen.