Shtune, 30 Gusht 2008 06:29:49

Lexoni versionin Print

Bogdani: Politika e Livornos, në dëmin tim

Erion Bogdani e pranon vetë që ky sezon për të mund të quhet i dështuar, jo vetëm për golat e paktë, por edhe në aspekte të tjera, ku sulmuesi ka ngelur i zhgënjyer. Livorno për të do të mbetet një eksperiencë e hidhur, edhe pse në fillim e mori me shumë qejf. Megjithatë, për Bogdanin këto janë mësime

Marte, 06 Maj 2008 08:28:00

 

Sulmuesi kuqezi tregon për periudhën e errët dhe marrëdhëniet jo të mira me klubin, sidomos pas ndeshjes me Rexhinën

Erion Bogdani e pranon vetë që ky sezon për të mund të quhet i dështuar, jo vetëm për golat e paktë, por edhe në aspekte të tjera, ku sulmuesi ka ngelur i zhgënjyer. Livorno për të do të mbetet një eksperiencë e hidhur, edhe pse në fillim e mori me shumë qejf. Megjithatë, për Bogdanin këto janë mësime: "Tani, kurrë nuk do të shkoj më në një ekip si i huazuar, kushdo qoftë ai,"- tregon 30-vjeçari. Nëpërmjet linjës telefonike nga qyteti toskan, ai shprehet për problemet që ka hasur te Livorno dhe pse nuk arriti ta gjejë kurrë veten tek ky ekip, që tashmë kur kanë ngelur dy ndeshje nga përfundimi i kampionatit, duket se e ka prerë biletën për në Serinë B. Sulmuesi i kombëtares flet edhe për të ardhmen, teksa e shikon përsëri te Kievo. Në fund, jep disa mendime për kombëtaren dhe grumbullimin e parë që pritet të bëjë nën urdhrat e trajnerit Ari Han.

- Erion, ky sezon duket se ka përfunduar para kohe për ju. Çfarë mund të na thoni?

- Natyrisht që ky sezon ka qenë me shumë probleme për mua. Kalova te Livorno me dëshirë, duke menduar se do të bëja diçka të mirë për këtë ekip, i cili në fillim të kampionatit kurrsesi nuk e diskutonte qëndrimin në Serinë A. Për të qenë i sinqertë, në fillim nuk e dija se çfarë kërkohej te Livorno. E prisja ndryshe, por më doli e kundërta. Duhet të shënoja më shumë, por me sa duket ky ka qenë fati im. Megjithatë, më duhet të them se trajtimi ndaj meje ka qenë sikur të isha lojtar i ndonjë ekipi tjetër, dhe jo i Livornos. Kjo më ka zhgënjyer më shumë se çdo gjë tjetër.

- Eshtë folur për kontradikta me trajnerin Kamoleze, ndërkohë që edhe pas largimit të tij nuk jeni aktivizuar...

- Nuk është kështu. E vërteta është që pas ndeshjes me Rexhinën, ku unë shënova, jam aktivizuar shumë pak. Këtu e kuptova që nuk do të luaja, sepse më pas m'u bë e qartë. Politika e klubit ishte që të aktivizoheshin vetëm lojtarët që kanë kontrata, ndërkohë që unë isha i huazuar te Livorno. Kjo më dukej shumë absurde. Unë gjithnjë kam qenë në 100% dhe këtë e kam treguar gjatë stërvitjes, por kur vinte ndeshja, nuk preferohesha unë.

- Cila është e ardhmja juaj? Do të riktheheni te Kievo, apo keni dëshirë të provoni një eksperiencë të re...

- Pas kësaj eksperience te Livorno, kam vendosur që kurrë të mos shkoj në një ekip tjetër si i huazuar. Për sa i përket Kievos, kam edhe dy vjet kontratë. Tani që klubi është drejt rikthimit në Serinë A, nuk besoj se do të më lërë të lirë, duke pasur parasysh këtu edhe sulmuesit që ka në dispozicion, vetëm 2. Gjithçka do të mësohet gjatë verës, pasi varet çfarë ofertash do të ketë. Megjithatë, mundësia më e madhe është të vazhdoj të luaj për Kievon.

- Tashmë kombëtarja do t'u kthehet përgatitjeve, teksa para ndeshjes eliminatore me Suedinë do të luhen dy miqësore. Mund të arrijë ekipi aty ku duhet?

- E rëndësishme është të grumbullohemi. Për ne është hera e parë që do të drejtohemi nga Ari Han. Në njëfarë mënyre duhet të njohim njëri-tjetrin sa më shpejt. Trajneri duhet të mësojë lojën tonë dhe ne idetë e tij. Sa më shpejt ta bëjmë këtë, aq më mirë do të jetë. Duhet të jemi realistë se do të kemi vështirësi, por shpresojmë t'i kalojmë këto dhe të jemi të përgatitur mirë për ndeshjen me Suedinë.

- Nga lista e lojtarëve të thirrur për miqësoren me Poloninë është lënë jashtë Haxhi, Bushi dhe Dede. Si e shikon këtë vendim të Hanit?

- Trajneri i ri, duke mos pasur mundësi të provojë ekipin, ka vëzhguar kasetat e ndeshjeve të fundit. Ne si lojtarë na vjen keq kur merren të tilla vendime, por nga ana tjetër mendoj se duhet të mësohemi t'i respektojmë. Si Haxhi, Bushi dhe Dede i kanë dhënë shumë kombëtares dhe besoj që do të thirren përsëri.

Jorgis MEMO


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML