Berisha rrit pagat dhe pensionet edhe për 2009
Pas 6 muajsh premtimi për rritjen e vakët të 6-mujorit të dytë 2008 në paga dhe pensione, kryeministri Berisha nuk ndalet, po rrit pagat dhe pensionet edhe për 2009. Nuk është për fushatë, tha Berisha dje në mbledhje të qeverisë, ne do i rrisim pagat në 1 Maj, kurse fushata është në qershor.
Merkure, 03 Shtator 2008 09:34:00
Berisha: Paga mesatare 502 dollarë në shtet, rritja 20% do të jetë në 1 Maj 2009
Pas 6 muajsh premtimi për rritjen e vakët të 6-mujorit të dytë 2008 në paga dhe pensione, kryeministri Berisha nuk ndalet, po rrit pagat dhe pensionet edhe për 2009. Nuk është për fushatë, tha Berisha dje në mbledhje të qeverisë, ne do i rrisim pagat në 1 Maj, kurse fushata është në qershor. “Bazuar në rritjen e këtij buxheti, në 1 maj 2009, qeveria do të bëjë rritjen e re të pensioneve dhe pagave për rreth 800 mijë familje shqiptare. Rritja e buxhetit të këtij viti me 1 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2008, i jep mundësinë qeverisë të dyfishojë pagat e mësuesve, të infermierëve e mjekëve. Vitin që vjen, rritja e pensioneve në qytet e fshat nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do jetë 10 dhe 20 për qind.
Risia e kësaj rritjeje është fakti se ajo do të bëhet në 1 maj 2009. Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim që rritja e tyre të bëhet në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë”, u shpreh Berisha. Çfarë euforie. Sa të lumtur duhet të jenë pensionistët, mësuesit dhe infermierët që Kryeministri po ua rrit pagën e vitit 2009 një vit më parë, në paradhënie! Madje zoti Berisha ua ka bërë të ditur se këtë nuk e bën për votë, por për mirëqenien e tyre.
Keqardhje ka shprehur Berisha për sektorin privat që nuk po e ndjek dot ritmin “galopant” të rritjes së pagave në shtet, që kanë krijuar një mirëqenie të lartë. Kryeministri ka thënë një shifër, 502 dollarë paga mesatare në shtet, por duket se nuk i di mirë pagat për mësuesit dhe infermierët. Nuk dihet si i del kjo pagë kreut të qeverisë, kur mësuesi i parë i këtij vendi nuk mund të marrë më shumë se 38 mijë lekë në muaj dhe një infermier, ca më pak. Mbase kjo pagë mund të shkojë kaq për infermierët dhe mësuesit, por vetëm nëse mblidhet me pagat e qeveritarëve dhe ofiqarëve të tjerë.
|