Berisha premton se do të ulë sigurimet shoqërore që do të paguajë biznesi në 15 për qind
Qeveria ka vendosur që të ulë me 25 për qind sigurimet shoqërore që nga 1 janari i vitit 2009. Deklarata është bërë gjatë ditës së djeshme nga ana e kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë. “Qeveria shqiptare uli 2 vjet më parë me 31 % sigurimet shoqërore, duke ndikuar në këtë mënyrë ndjeshëm në koston e prodhimit, duke ulur barrën fiskale mbi sipërmarrësit. Qeveria do të bëjë hapin e dytë madhor prapë në këtë drejtim. Shqipëria do të ulë me 25 % më tej sigurimet shoqërore. Berisha ka sqaruar se me këtë ulje të dytë, sipërmarrësit shqiptarë, si punëdhënës, të cilët dy vjet më parë paguanin 31 % sigurim shoqëror për të punësuarit e tyre, duke filluar nga 1 janari i vitit 2009 e në vazhdim do të paguajnë gjithsej 15 %.
Sigurimet nuk ndryshojnë për punëtorët
Qeveria ka deklaruar se do të lehtësojë sigurimet për biznesin, por pagat e punonjësve në të gjithë vendin si në sektorin privat dhe atë publik do të mbeten të pandryshuara. Edhe në vitin 2009 të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat do të vazhdojnë që të paguajnë mbi pagën një volum taksash prej rreth 21 për qind. Në këtë pjesë 11 për qind do të jenë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe 10 për qind taksa e sheshtë. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pësuan një rritje të ndjeshme pasi qeveria vendosi pagat e referencës në çdo sektor.
Në këto kushte të gjithë bizneset dhe punonjësit janë të detyruara që të paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si edhe taksën prej 10 për qind mbi pagën e fiksuar me vendim. Berisha bëri të ditur se vendime të tilla si ato për uljen e taksave, lehtësimin maksimal të barrës fiskale, etj., kanë si qëllim lehtësimin dhemundësimin e rritjes ekonomike. “Kjo është një përpjekje në kërkim të rritjes ekonomike. Ajo po ndodh dhe të gjithë treguesit pa përjashtim dëshmojnë se rritja është më dinamike se asnjëherë më parë. Edhe në këtë kontekst mund t’u them se parimet tona, zbatimi i këtyre parimeve të mëdha, po shoqërohet me një sukses real të ndjeshëm. Jam i bindur se biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar do ta presin me kënaqësi të veçantë, këtë vendim.”