Inflacioni i lartë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, i ka hequr familjeve shqiptare mesatarisht rreth 3 mijë lekë të rinj çdo muaj. Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi i familjes mesatare (katër anëtarë), në Shqipëri vitin e kaluar qe rreth 69 mijë lekë në muaj, ndërsa këtë vit, çmimet u rritën zyrtarisht me 4%, gjë që solli edhe rëndimin e buxhetit familjar me kosto plus. Nga llogaritë, rezulton se vetëm për ushqimet, familjet e shtresës së mesme në Shqipëri shpenzuan 2 mijë lekë më shumë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimit të ushqimeve bazë, bukë, makarona, oriz etj. Transporti, për të cilin familjet shqiptare shpenzojnë mesatarisht 4 mijë lekë të muaj, u rrit me 530 lekë si shpenzim.
Të dënuarit më rëndë
Llogaria prej 3 mijë lekësh në muaj, vlen për mesataren kombëtare. Por llogaritë tregojnë se familjet e varfra, janë dënuar nga inflacioni shumë më tepër sesa familjet e pasura. Familja e zakonshme në Shqipëri shpenzon 45.4% për ushqime, por familjet me tre fëmijë, çiftet pa fëmijë apo familjet me një prind, shpenzojnë për ushqim gjysmën e buxhetit të vet. Nga ana tjetër, familjet e varfra, vlerësohet se konsumojnë për ushqime deri në 70% të buxhetit të vet. Nga shporta e konsumit, grupi i ushqimeve ka pësuar rritjen më të madhe, ndërkohë që zërat e “luksit” si kostoja e veshjeve e këpucëve, kanë pësuar rënie. Të varfrit nuk kanë përfituar nga rënia e çmimeve jashtë grupit të ushqimeve, për pasojë, kanë nevojë për shumë më tepër para shtesë për të mbuluar inflacionin, sesa mesatarja kombëtare.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, 18.5% e popullatës shqiptare ose 575 mijë njerëz jetojnë nën minimumin jetik, pra kanë të ardhura prej më pak se 4891 lekë në muaj. Kjo shtresë e popullatës, e cila për bukë, vaj e energji elektrike ka të njëjtin konsum me pjesën tjetër të vendit, ka pasur një kosto shtesë për jetesën prej rreth 2500 lekësh në muaj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti për familje. Shtesa në koston e ushqimeve, transportit e banesës, përbën në këtë rast një shtesë shpenzimesh prej 13%. Rritja e të ardhurave në këtë rast është e nevojshme thjeshtë për t’i mbajtur po aq të varfër sa ishin, jo për t’i nxjerrë nga niveli i varfërisë. Banka Botërore vlerëson se 235 mijë shqiptarë të tjerë sapo kanë dalë nga niveli i varfërisë, kryesisht për shkak të remitancave nga emigrantët dhe se rritja e çmimeve të ushqimeve me rreth 5%, rrezikon ta kthejë këtë kategori në nivelin e varfërisë.
Shpresa te emigrantët
Raporti i BB është kryer për periudhën 2002-’05. Ai vëren ulje të fortë të varfërisë në atë periudhë, por ia dedikon këtë përgjithësisht emigrimit. “Gjatë kësaj periudhe jo vetëm që është rritur numri i familjeve që përfitojnë të ardhura nga fëmijët emigrantë, por është rritur edhe sasia e të ardhurave”, - thotë raporti. Dërgesat nga emigrantët në zonën e Tiranës u dyfishuan, ndërsa ato në zonat malore, u rritën me rreth 50%. Zonat malore janë ende aktive për prodhimin e emigrimit, sipas raportit.
Por vlerësohet se ekonomitë që bazohen te remitancat, rrezikohen shumë nga krizat ekonomike në vendet e zhvilluara. Nga ana tjetër, ashpërsimi i kontrolleve kufitare si dhe pranimi nga ana e Shqipërisë i “marrëveshjes së ripranimit” me BE-në, duket se e kanë “dëmtuar” forcën e emigrantëve dhe përfitimet e ekonomisë gjatë viteve të fundit. Anijet luftarake të vendeve anëtare të NATO-s, kanë vënë nën kontroll të imtësishëm Detin Mesdhe, duke ndaluar trafikun ilegal të klandestinëve për drejt brigjeve italiane. Vetëm gjatë vitit të parë të zbatimit të “Marrëveshjes së Ripranimit”, më shumë se 50 mijë shqiptarë janë riatdhesuar nga vendet e BE-së.
Nga ana tjetër, dihet se në periudhë papunësie të lartë, emigrantët janë të parët që humbasin vendin e punës. Banka e Shqipërisë raportoi këtë vit për rënie neto të remitancave nga emigrantët, fenomen që i dedikohet përgjithësisht ritmit të lartë të riatdhesimeve dhe dobësimit të ekonomive evropiane.