“Kontrata për lirimin e ambienteve është nënshkruar, “Top-Channel” të shkojë tek ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve me anë të një letre i ka kërkuar kompanisë “Top Media” që të lirojë godinën e ish-Piramidës, ose siç njihet aktualisht “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Arbnori”. “Edhe pse nga ana e Ministrisë së Ekonomisë është bërë zgjidhja e kontratës dhe kërkohet lirimi i godinës, nga ana juaj nuk është bërë asnjë lëvizje në drejtim të lirimit të ambienteve. Ky fakt, ka detyruar kompaninë që po punon për restaurimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, të kryejë punimet me orare të reduktuara.
Kompania është detyruar nga ana tjetër që të bllokojë pjesën më të madhe të punimeve, pasi nuk ka mundur që të realizojë projektin për shkak të zënies së ambienteve nga pajisjet tuaja televizive”,- bën të ditur Pango në letrën drejtuar “Top Medias”. Pango në letër bën të ditur se tashmë për televizionin “Top-Channel” janë liruar ambientet në Qendrën Kombëtare të Panaireve. “Për sa më sipër ne kërkojmë që të lironi ambientet e zëna. Ky është investimi më i madh i realizuar në këto 18 vjet në fushën e kulturës”, tha Pango. Qendrës Ndërkombëtare e Kulturës do të behet Teatër Kombëtar dhe njëkohësisht në këtë ndërtesë do të zhvendoset Galeria Kombëtare e Arteve. Investimi në total, sipas ministrit Pango, në këtë godinë shkon në 637.6 milionë lekë.