Programi nis hartimin e një ligji të ri për Fondet e Përbashkëta të Investimeve dhe për Rregulloret për Bursën
Fondet e investimeve dhe tregjet e kapitalit do të funksionojnë nëpërmjet një ligji të ri. Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se një ligj i ri mbi fondet e investimeve pritet të shtrojë rrugën për zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe të pensionit në Shqipëri. Ky ligj është në proces hartimi në saje të mbështetjes së USAID-it. USAID, bën të ditur se do të mbështesë gjithashtu nisma të tjera për të hapur rrugën e zhvillimit të tregut të bursës në Shqipëri, duke ndihmuar në shkrimin e rregullores për qeverisjen e Bursës. Programi i USAID-it, në partneritet me Financial Services Volunteer Corps (FSVC), punon për të forcuar dhe për të zgjeruar sektorin financiar të Shqipërisë në mënyrë që ai të jetë më i sigurt dhe më i qëndrueshëm, më i aftë për të tërhequr burime të reja kapitali, si dhe më eficient në shpërndarjen e burimeve kapitale, të cilat ekzistojnë në vend.
USAID, bën të ditur se në projektet e ardhshëm, FSVC-ja do të përdorë vullnetarë nga Autoriteti Polak i Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të sigurojë analizë eksperte për gjendjen aktuale ligjore dhe mjedisin operativ në Shqipëri. Vullnetarët gjithashtu do t’u ofrojnë homologëve shqiptarë rekomandime përgjatë gjithë procesit të hartimit të ligjit të fondit të investimeve dhe Rregullores së Bursës, si dhe do të sigurojnë që dokumentet ligjore të jenë në përputhje me Direktivat e BE-së. “Kjo përpjekje buron nga interesi në rritje i sektorit privat për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, dëshirës për më shumë mundësi investimi në vend dhe prej nevojës për një bursë funksionale”,- ka bërë të ditur USAID. Në mars të vitit 2008, Ligji për Letrat me Vlerë u miratua dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po punon rregulloret për liberalizimin e mundësive të investimeve në Shqipëri. Tregu i kapitaleve në vend mbetet tërësisht i bllokuar. Megjithëse prej vitesh është hapur Bursa e Tiranës në këtë institucion thuajse nuk realizohet asnjë transaksion. E njëjta situatë është edhe përsa i përket Fondeve të Investimeve.