Shtune, 06 Shtator 2008 02:08:18

Lexoni versionin Print

Aktivizohet lobingu i ndërtuesve

Një betejë tjetër mes qeverisë dhe lobingut të fuqishëm të ndërtuesve, ka filluar nëpër korridoret e Parlamentit. Të dhëna jozyrtare bëjnë të ditur se disa deputetë po anojnë nga mbështetja e kërkesave të ndërtuesve, mes tyre edhe një ministër i qeverisë “Berisha”.

Gjergj Erebara
Hene, 14 Korrik 2008 08:21:00

 

Një grup protagonistësh të fuqishëm të sektorit, marrin masa për bllokimin e rritjes së taksës për infrastrukturën

I njëjti lobing mposhti qeverinë dhe FMN-në, tre vjet më parë, në projektin për TVSH-në në ndërtim

Një betejë tjetër mes qeverisë dhe lobingut të fuqishëm të ndërtuesve, ka filluar nëpër korridoret e Parlamentit. Të dhëna jozyrtare bëjnë të ditur se disa deputetë po anojnë nga mbështetja e kërkesave të ndërtuesve, mes tyre edhe një ministër i qeverisë “Berisha”. Ndërtuesit kundërshtojnë rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4% që është aktualisht, në 6% për zonën e Bashkisë së Tiranës dhe e konsiderojnë atë si masë të pavend dhe dëmtuese për këtë industri. Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet në fillim të punimeve mbi koston formale të projektit, që përcaktohet me Vendim të Ministrisë së Financave. Teorikisht, këto para duhet të përdoren nga Bashkia për të siguruar infrastrukturë primare për pallatet e reja, pra furnizim me ujë, me kanalizime të ujërave të zeza dhe për rehabilitimin e rrugëve që dëmtohet nga makineritë e rënda.

Taksë e pamjaftueshme

Gjatë dhjetë viteve të fundit, në fakt, është parë që të ardhurat e Bashkisë së Tiranës nga taksa për ndikim në infrastrukturë, ka qenë e pamjaftueshme për të mbuluar investimet në rrugë, ujësjellës e kanalizime. Gjatë viteve të fundit, shpenzimet e Bashkisë për infrastrukturë kanë qenë sa 10-12% e investimeve të sektorit të ndërtimit. Në komunat përreth Tiranës, kjo disbalancë është më e dukshme për shkak se komunat që kanë dhënë leje ndërtimi dhe kanë arkëtuar taksën, nuk janë në gjendje sot të ofrojnë kanalizime dhe ujë për pallatet e reja.

Reagimi i ndërtuesve

Shoqata e Ndërtuesve, e cila përfaqëson disa kompani që zënë rreth gjysmën e biznesit të përgjithshëm të sektorit të ndërtimit, bëri të ditur në qershor se nuk e dëshironte shtesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë. “Sektori i ndërtimit po detyrohet të kalojë në një krizë të thellë jo për shkak të faktorëve që nuk varen nga ai, por nga politikat fiskale aspak të drejta që ndërmerren ndaj tij”,- deklaroi shoqata. “Ne deklarojmë se jemi kundër rritjes së nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri taksës së truallit urban për mënyrën si kërkohet të paguhet dhe qëllimi i përdorimit të tyre pa përfillur kërkesat tona të drejta”.

Por lobingu i ndërtuesve duket se nuk u mjaftua me deklaratën. Deputetë të ndryshëm të Parlamentit kanë filluar të flasin kundër këtij vendimi qeverie, i cili duhet të kalojë votën parlamentare para se të hyjë në fuqi.

Fitorja e vitit 2005

Qeveria vendosi në vitin 2005 për herë të parë, Tatim mbi Vlerën e Shtuar për shitjen e parë të banesave dhe dyqaneve, nën këmbënguljen e FMN-së. Edhe në atë kohë, lobingu i ndërtuesve arriti të rrëzojë propozimin në komisionet e ndryshme parlamentare, ndërsa qeveria e re e rrëzoi ligjin e miratuar pak kohë pasi mori mandatin. Sektori i ndërtimit paguan TVSH mbi koston e investimit. Pavarësisht mungesës së TVSH-së mbi çmimin final të shitjes, sërish sektori i ndërtimit vlerësohet se paguante në vitin 2004, rreth 20% të të ardhurave totale të qeverisë nga TVSH-ja, pavarësisht se përbënte rreth 10% të ekonomisë kombëtare. Gjithsesi, ndalimi i TVSH-së për sektorin e ndërtimit qe një fitore e fortë e lobingut të ndërtuesve. Në mungesë të kësaj takse, qeveria vendosi taksën e sheshtë mbi shitjen e apartamenteve, një mekanizëm që nuk u kundërshtua nga ndërtuesit, kryesisht për shkak se rëndonte mbi shitjet dhe blerjet e apartamenteve nga individët. Rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë po shënon një përballje të re mes qeverisë dhe ndërtuesve, betejë që po zhvillohet larg vëmendjes së publikut, nëpër korridoret e Parlamentit.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML