Qeveria ka kohë që ka dalë nga dieta, duke harxhuar më shumë se në dy vitet e saj të para
Buxheti shtesë i këtij viti është shoqëruar me një analizë që nuk është hasur ndonjëherë. Të gjitha krahasimet në zërat e tij ishin me vitin 2005, kohë në të cilën qeveria “Berisha” erdhi në pushtet. Veç arritjeve që u prezantuan në këtë projektbuxhet, nuk u tha asgjë për atë që do të ishte edhe një nga sukseset e një qeverie të vogël. Shpenzimet operative dhe mirëmbajtjen, ku përfshihen dietat e qeveritarëve, udhëtimet dhe telefonat. Nga llogaritë e dhëna nga Ministria e Financave, del se jemi në vitin 2008 dhe qeveria nuk duket se ka kursyer ndonjë lek në këtë zë. Shpenzimet janë të njëjta me ato të qeverisë paraardhëse, e akuzuar për shpenzime luksi. Në tre vitet e para, sipas të dhënave të Financave, qeveria “Nano” kishte harxhuar 30 miliardë lekë për zërin “Shpenzime operative”, e njëjta shumë korrespondon edhe për 3 vitet e para të qeverisë “Berisha”. Shifrat i përkasin vetëm 6-mujorëve të parë të vitit.
Shpenzimet operative dhe mirëmbajtjes
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjatë gjashtëmujorit të parë 2008 arritën në rreth 10.5 miliardë lekë, duke qenë rreth 0.66 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, ose rreth 6.8 për qind më të larta. Nëse i referohemi faktit se këto shpenzime, sipas teorisë, nuk kanë pse të rriten pasi kemi një qeveri që sa vjen e shkurtohet, atëherë shohim se në vitin 2008 qeveria ka harxhuar më shumë se çdo qeveri tjetër, përjashto këtu vitin 2005, me të cilin diferenca mbetet sërish e vogël. Në vitin 2008 janë harxhuar për “Shpenzime operative dhe mirëmbajtje” 1.8 miliardë lekë më shumë se në vitin 2002, 0.33 miliardë lekë më shumë se në 2003, 0.3 miliardë lekë më shumë se në 2004 dhe rreth 1 miliardë lekë më pak se në 2005.
Duke u nisur edhe nga grafiku, shohim se qeveria “Berisha” në 2008 është sërish një qeveri me shumë harxhime, të paktën sipas shifrave që vë në dispozicion Ministria e Financave.
Shpenzimet 6-mujore në 3 vjet
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitet 2002, 2003 dhe 2004 (6-mujorët e parë) kapin një vlerë prej rreth 30 miliardë lekë. Po 30 miliardë lekë ka harxhuar edhe qeveria “Berisha” gjatë 6-mujorëve të parë 3 viteve të saj, 2006, 2007 dhe 2008. Këto periudha kohe janë edhe më të shtrenjtat përsa i përket taksave që shqiptarët kanë paguar për të mbajtur qeverinë.