Banka amerikane falimenton
Një nga bankat më të mëdha në SHBA, “IndyMac”, me asete prej 32 miliardë dollarësh, u mbyll dje për shkak se nuk mund të shlyente më kërkesat e klientëve që donin të tërhiqnin depozitat e tyre. Ky qe falimentimi më i madh i një banke amerikane që nga viti 1984. Autoriteti mbikëqyrës njoftoi se depozituesit zunë radhë në bankë dhe filluan të tërheqin kursimet e veta, pasi një kongresmen amerikan deklaroi se kishte dyshime për aftësitë financiare të bankës.
Diel, 13 Korrik 2008 08:28:00
Një nga bankat më të mëdha në SHBA, “IndyMac”, me asete prej 32 miliardë dollarësh, u mbyll dje për shkak se nuk mund të shlyente më kërkesat e klientëve që donin të tërhiqnin depozitat e tyre. Ky qe falimentimi më i madh i një banke amerikane që nga viti 1984. Autoriteti mbikëqyrës njoftoi se depozituesit zunë radhë në bankë dhe filluan të tërheqin kursimet e veta, pasi një kongresmen amerikan deklaroi se kishte dyshime për aftësitë financiare të bankës. “IndyMac” u përpoq të grumbullonte kapital të ri ose të gjente një blerës, por tërheqja e depozitave ia hoqi shpresat. Depozituesit tërhoqën më shumë se 100 milionë dollarë në ditë nga banka, derisa sportelet u mbyllën. Aktiviteti i bankës iu kalua Korporatës së Sigurimeve Federale, e cila mbulon në masën 100% depozitat deri në 100 mijë dollarë për depozitor. Korporata e Sigurimeve mund të detyrohet të shpenzojë 4 deri në 8 miliardë dollarë në këtë proces. Kjo qe banka e pestë që falimentoi në SHBA për këtë vit, krahasuar me 3 banka të mbyllura në 2007 dhe asnjë të mbyllur në 2005.
|