BERZH ka kërkuar pranë Bankës së Shqipërisë blerjen e 12.5% të aksioneve të “Union Bank”, me një vlerë 3 mln Euro
Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se pranë saj është paraqitur kërkesa nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për marrjen e miratimit paraprak për zotërimin e pjesëmarrjes prej 12.5% të aksioneve të “Bankës Union sh.a.”. Kërkesa është mbështetur në Ligjin Nr.9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe në Rregulloren “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë” miratuar me Vendim Nr.71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.
Asambleja e Jashtëzakonshme e Aksionerëve të “Bankës Union sh.a.”, mbledhur në datë 18 prill 2008, ka miratuar nënshkrimin e 157,143 aksioneve të reja me vlerë nominale 10 euro dhe me një çmim total prej 3,000,000 eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nëpërmjet kësaj kontrate, do të fitojë pronësinë e 12.5 për qind të kapitalit aksioner të “Bankës Union sh.a.”. Ky investim, i cili do të realizohet në kuadër të projektit “Programi Italian, Fonde për Sipërmarrjet Lokale të Ballkanit Perëndimor”, ka për qëllim mbështetjen e mëtejshme të veprimtarisë së kredidhënies së Bankës Union si dhe strategjisë së saj për një rritje të shpejtë. Ky projekt, sipas BSH-së, aktualisht po financon në rindërtimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, kryesisht me anë të investimeve në kapitalin aksioner, por edhe me forma të tjera financimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.