Parashikimi apokaliptik, çmimet e larta do të zhvendosin qendrën botërore të pushtetit politik
Shumë analistë debatojnë se sa do të shkojë çmimi i naftës, por ndërkohë, shumë të tjerë po imagjinojnë se si do të jetë bota e të nesërmes, bota e çmimit të naftës 500 dollarë për fuçi. Willem Buiter, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës dha një parashikim shumë apokaliptik në lidhje me këtë çështje. Në një shkrim të titulluar “Mirësevini në botën ku nafta kushton 500 dollarë”, profesor Buiter thotë se çmimet do të stabilizohen disi në tre vitet e ardhshme, për shkak të rënies së konsumit, por pas kësaj, rritja do të vijojë dhe se për çmimin e naftës, kufiri është vetëm qielli. “Sapo ekonomia botërore të rifillojë rritjen, edhe çmimet e të gjitha mallrave, nafta, gazi apo prodhimet bujqësore, do të rriten gjithashtu”, - thotë z.Buiter. Në të ardhmen, energjia bërthamore pa dyshim do të luajë një rol më të madh, por kjo vetëm për shkak se burimet e tjera janë më të kushtueshme, jo se centralet nukleare janë bërë më të lira apo më të sigurta. Novacioni teknologjik mund të na japë energji me kosto të barazvlefshme me naftën 100 dollarë për fuçi, por kjo do të kërkojë jo më pak se tre dekada”,- vijon ai.
Çmimet e larta të naftës do ta ndryshojnë botën shumë. Të ardhurat në SHBA do të jenë shumë më të ulëta sesa janë aktualisht. Stili i jetesës do të ndryshojë. Njerëzit nuk do të udhëtojnë aq shumë sa udhëtojnë aktualisht. Industria turistike do të goditet rëndë. Standardi i jetesës së amerikanëve do të ulet ndjeshëm. Në Europë, efekti te kostoja e jetesës do të jetë shumë më i ulët se në SHBA, për shkak se Europa Perëndimore ka eficiencë shumë të lartë në përdorimin e energjisë, si dhe për faktin se këtu ka densitet të lartë të popullatës. Kostoja e lartë e energjisë do të shtojë ritmin e depopullimit të Amerikës së Mesme. Njerëzit do të rimësojnë të jetuarit duke u veshur trashë brenda shtëpisë në dimër e duke mbajtur dritaret hapur në verë. Makinat e vogla do të bëhen normë. Çmimi i lartë i naftës do të përshpejtojë zhvendosjen e mirëqenies dhe fuqisë financiare, shpullës ekonomike e ndikimit politik drejt vendeve eksportuese, veçanërisht Lindjes së Mesme dhe Rusisë. Për shkak se pushtimi i Arabisë Saudite dhe shfrytëzimi i naftës së saj për konsumatorët amerikanë nuk është një opsion, ka shumë pak gjëra që mund të bëhen për të shmangur zhvendosjen e qendrës së botës. “Financial Times”, që botoi shkrimin e z.Buiter, ka botuar edhe shumë shkrime të tjera të kësaj natyre. Por të gjitha këto, janë parashikime të ngjarjeve që mund të ndodhin pas një shekulli.