Shtune, 30 Gusht 2008 00:02:14

Lexoni versionin Print

Mbërrin kodi IBAN edhe për shqiptarët

Banka e Shqipërisë pritet të miratojë javën e ardhshme një rregullore për përdorimin e llogarisë bankare me kod IBAN, një ndryshim që mund të ulë ndjeshëm koston e transaksioneve financiare në Shqipëri.

Gjergj Erebara
Premte, 11 Korrik 2008 08:30:00

 

Financat personale

Mekanizmi pritet të ulë ndjeshëm koston e transfertave bankare për biznesin dhe individët. Emigrantët dhe kompanitë e vogla, përfituesit kryesorë

Me shumë vite vonesë, edhe ne mund të përfitojmë nga lehtësirat e ofruara nga Bashkimi Europian

Banka e Shqipërisë pritet të miratojë javën e ardhshme një rregullore për përdorimin e llogarisë bankare me kod IBAN, një ndryshim që mund të ulë ndjeshëm koston e transaksioneve financiare në Shqipëri. Rregullorja pritet të miratohet të mërkurën e ardhshme nga Këshilli Mbikëqyrës. Ka disa vite që punohet për këtë çështje, që qe zvarritur disi për arsye të ndryshme. Kodi IBAN (Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare) është një sistem numerik i zhvilluar kryesisht në Europë dhe që shërben për të identifikuar lehtësisht mbajtësit e llogarive bankare në vende të ndryshme.

Si funksionon

Sistemi ekzistues i transfertave të parave nga një vend në tjetrin, zakonisht kërkon që porosia të qarkullojë në “banka korrespondente” dhe në zyra të ndryshme kleringu. Klienti nuk informohet paraprakisht se sa do t’i kushtojë transferta totale, për shkak se banka ku kërkohet shërbimi, nuk ka mundësi të dijë se çfarë komisioni do të mbajë banka korrespondente. Në rastin e Shqipërisë, kryesisht për shkak të rrjetit të kufizuar të bankave korrespondente me të cilat punojnë bankat shqiptare, kostoja e transaksioneve qe shumë e lartë. Veçanërisht për shumat e vogla, p.sh., deri në 100 euro, kostoja mund të arrinte në 20 apo 30% të shumës. Paratë e transferuara nga klientët, procesohen fizikisht nga bankat përmes “zyrave të kompensimit”. Këto të fundit, janë qendra ku bankat dorëzojnë detyrimet ndaj bankave të tjera dhe marrin atë çfarë i përket. Nëse transferta përfshin disa shtete, atëherë “zyrat e kompensimit” të vendeve të ndryshme transferojnë paratë mes njëra-tjetrës. Sa më shumë hallka të përdoren, aq më e lartë është kostoja që paguan klienti.

Rregullorja e BE-së

Komisionet e transaksioneve bankare u konsideruan nga “The Economist” në vitin 2003 si “zhvatje e klientëve”. I gjithë problemi qëndronte në faktin se banka duhej të merrte paratë e transferuara dhe t’i përcillte manualisht, duke përcaktuar në mënyrë arbitrare edhe “koston” e veprimit manual.

Në vitin 2001, Komisioni Europian përcaktoi një rregullore të detyrueshme për të gjitha bankat, që përcaktonte reduktim deri në 99% të kostos së transfertave të parave, përmes përdorimit të kodit IBAN. Duke qenë se IBAN përmban jo vetëm emrin e bankës dhe të shtetit, por edhe numrin e identifikimit të klientit, “procesimet manuale” janë të panevojshme. Shoqata Europiane e Bankingut, krijoi gjatë viteve të fundit një “zyrë kompensimi elektronik”, gjë që eliminon hallkat e shumta të transfertave dhe ajo më e rëndësishmja, eliminon bankat korrespondente dhe komisionet e tyre të panjohura për klientët. Sipas Rregullores me numër 2560/2001 të Komisionit Europian, transfertat për shumat deri në 12,500 euro nga një vend në tjetrin, duhet të kushtojnë njësoj sa transfertat brenda vendit, përmes përdorimit të kodit IBAN. Për këtë është e nevojshme që marrësi i parave t’i japë dërguesit kodin IBAN të llogarisë së tij bankare.

Një lehtësim për emigrantët

Emigrantët dhe biznesi i vogël në Shqipëri pritet të jenë përfituesit kryesorë të vendosjes së kodit IBAN nga bankat shqiptare. Vetëm se nuk është asgjë e sigurt, sepse bankat mundet të mos e pasqyrojnë në çmimin e paguar reduktimin e kostove. Edhe në Europë, problemi kryesor në zbatimin e rregullores së BE-së qe fakti se bankat nuk dëshironin ta reklamonin mundësinë e shfaqur për klientët nga kodi IBAN. Për këtë arsye, qe media dhe bankat qendrore që funksionuan si reklamues të kësaj mundësie. Edhe kompanitë private ndihmuan në reklamimin e IBAN, për shkak se kishin akses ndaj informacionit më të lartë se qytetarët e zakonshëm dhe përfituan nga rasti për të ulur kostot e veta bankare. Sot, një pjesë e konsiderueshme e të gjitha transaksioneve kryhen përmes kodit IBAN. Kodi është pranuar edhe nga shumë vende që nuk janë pjesë e zonës Euro apo pjesë e Bashkimit Europian. Nuk është e qartë nëse Rregullorja 2560/2001, do të hyjë në fuqi në Shqipëri së bashku me vendosjen e kodit IBAN apo jo. Ne jemi vendi i fundit në rajonin e Ballkanit që do të përdorim kodin IBAN. Edhe vende të Afrikës, si Tunizia dhe Maroku, e kanë përdorur para nesh.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML