Shtune, 06 Shtator 2008 02:13:00

Lexoni versionin Print

Dorëzimi i rrugës së Kukësit shtyhet me 9 muaj

Afati i përfundimit të punimeve të tunelit të Kalimashit, pjesës më të kushtueshme të rrugës Durrës-Kukës, do të shtyhet për 9 muaj. Kështu kanë bërë të ditur burime të kompanisë “Bechtel&Enka” që kanë marrë përsipër të ndërtojnë veprën.

Bashkim SHALA
Enjte, 10 Korrik 2008 08:39:00

 

Kompania njofton se vepra do të përfundojë në vitin 2010 për shkak të shtesës së punimeve të zbukurimit

Kukës - Afati i përfundimit të punimeve të tunelit të Kalimashit, pjesës më të kushtueshme të rrugës Durrës-Kukës, do të shtyhet për 9 muaj. Kështu kanë bërë të ditur burime të kompanisë “Bechtel&Enka” që kanë marrë përsipër të ndërtojnë veprën. Zyrtarët thanë se afati i dorëzimit është shtyrë me 9 muaj për veprën në tërësi, ndërkohë që njëri prej tubave të tunelit me dy kalime do të përfundojë në afatet e përcaktuara më parë në korrik të vitit 2009. Sipas zyrtarëve, janë betonimet e zbukurimit, sistemi i ndriçimit dhe instalimi i kamerave në tunel që kanë krijuar një impakt negativ në afatin e përfundimit të veprës. Tuneli i Kalimashit pritet të jetë një nga më të gjatët në rajonin e Ballkanit.

Qeveria ka vendosur para disa ditësh që të financojë betonimet e zbukurimit në të gjithë gjatësinë e tunelit prej 5.65 kilometër në të dy tubat. Për mungesë fondesh më parë ishte menduar që betonimet e zbukurimit të realizoheshin vetëm në 500 metrat e parë të hyrjeve daljeve të tunelit që shkonin në 2 kilometër, ndërkohë që pas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare këto betonime do të kryhen në gjatësinë e rreth 11 kilometrave. Ndërkohë bëhet e ditur se së shpejti do të fillojë puna për ngritjen e një nënstacioni elektrik me një fuqi të instaluar 20 mega, që do të shërbejë për furnizimin me energji elektrike të tunelit të Kalimashit. Pas përfundimit, tuneli do të monitorohet nga një numër i madh kamerash që do të instalohen brenda dhe jashtë tij. Deri në qershor, kompania kishte përfunduar rreth 50% të punimeve të veprës. Ky volum punimesh është kryer për një periudhë pune pa ndërprerje prej 390 ditësh, me cikël të plotë gjatë 24 orëve, ku është avancuar mesatarisht me 4-4.5 metra në ditë. Shpërthimi i parë për fillimin e punimeve në tunelin e Kalimashit ka ndodhur me 25 maj të vitit 2007, ndërsa në pjesën e Thirrës rreth dy muaj më vonë. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë realizuar sistematikisht 5-6 shpërthime në ditë, me cikël të mbyllur (shpërthimi, pastrimi dhe transporti i dherave e inerteve, vendosja e armaturave dhe sprucimi me beton).

Kompania amerikane “Bechtel” ka përfunduar ekspertizën elektronike të grafikut të punimeve në tunelin e Kalimashit në dhjetor të vitit kaluar, nga ku është përcaktuar se punimet në këtë vepër duhet të përfundojnë tre muaj më vonë nga afati i përcaktuar prej kompanisë ndërtuese. Një specialiste argjentinase e kompanisë “Bechtel” ka punuar për një periudhë dyjavore, ku ka hedhur në kompjuter të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me tunelin e Kalimashit, si projektin, grafikun e punimeve, vështirësitë që hasen gjatë zbatimit të projektit, si dhe të gjitha të dhënat e tjera që kanë të bëjmë me tunelin dhe punimet në të.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML