Qeveria njoftoi se kompania gjermane “APENSA AG”, do të ndërtojë impiante të ujit mineral
Kompania “APENSA AG”, e cila i premtoi kryeministrit Berisha dy ditë më parë një investim me vlerë 400 milionë euro, nuk gjendet asgjëkund në internet. Nga një kërkim në “Google”, kompania dhe emri i drejtorit, japin si rezultat vetëm lajmet në shqip të publikuara mbi takimin e Kryeministrit. Qeveria njoftoi të hënën se “Kryeministri është takuar me përfaqësues të kompanisë gjermane “APENSA AG”, të kryesuar nga zoti Fritz Schaff, të cilët prezantuan projektin për ndërtimin e një impianti të nxjerrjes, përpunimit dhe ambalazhimit të ujit të pijshëm për konsum vendi dhe eksport, si dhe të një porti kontenierësh në zonën e Bunecit, investime të cilat arrijnë vlerën 400 milion euro”. Lajmi tërhoqi vëmendjen e agjencive të huaja të lajmeve që mbulojnë Shqipërinë, për shkak të shifrës së madhe të investimit të përmendur. Pas një kërkimi paraprak, u pa se emri i kompanisë, si dhe emri i përfaqësuesit gjerman, nuk ekzistonte asgjëkund.
Ndërkohë, në Regjistrin Tregtar të Zvicrës, ekziston një kompani me të njëjtin emër, e cila ka një kapital themeltar prej 4 milionë frangash zvicerane, (rreth 2.5 milionë euro). Kompania ka aktivitet në prodhimin dhe pijeve të të gjitha llojeve, si dhe blerjen e dhënien me qera të aeroplanëve. Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën kompani. Këshilli i Ministrave nuk dha detaje të mëtejshme.