Kompania greke e furnizimit me energji thotë se vendi mund të përballet me kufizime këtë javë
Konsumi i lartë nga kondicionerët dhe mungesa e investimeve gjatë viteve të fundit kanë krijuar probleme
Vala e të nxehtit që po godet rajonin e Mesdheut këtë javë, mund të shkaktojë kufizime në furnizimin normal me energji elektrike në të gjithë Greqinë. Njoftimi u dha nga gjiganti publik i furnizimit me energji, PPC, në mënyrë joformale dhe u raportua nga media vendëse.
“Këto ditë konsumi ka qenë i lartë përtej të zakonshmes duke arritur në 8500 Megavat”, deklaroi një zyrtar që nuk pranoi të citohej. “Nëse vijohet në këtë rrugë, këtë javë do të kemi probleme”.
Sistemi grek i energjisë elektrike ka një kapacitet maksimal prej 10900 MW, por shumë ekspertë besojnë se sistemi nuk mund të punojë me kapacitet të plotë, për shkak të normës së lartë të amortizimit. Konsumi mund të mbërrijë këto ditë në 10500 MW, gjë që do të përkthehej në kufizime të furnizimit normal me energji. “Qindra-mijë kondicionerë të rinj janë instaluar këtë vit, gjë që po rëndon të gjithë sistemin”, - tha zyrtari i PPC.
Temperatura në Greqi pritet të qëndrojë në mbi 40 gradë celsius këtë javë, duke regjistruar maksimumin prej 42 gradësh të mërkurën. Konsumi i lartë i energjisë në Greqi mund të krijojë probleme edhe në stabilitetin e sistemit shqiptar të energjisë elektrike. Rreth 70% e importit të Shqipërisë furnizohet nga linja e Interkonjeksionit me Greqinë. Kur konsumi rritet në Greqi, ekziston edhe rreziku i ndërprerjes së furnizimit të Shqipërisë, sado që ky rrezik është thjesht teorik. Gjatë verës së kaluar, konsumi i lartë i Greqisë bëri të vështirë importin e energjisë nga Shqipëria përmes linjave me Bullgarinë dhe Maqedoninë që kalojnë në territorin grek.
Kompania greke e energjisë elektrike, PPC, ka vite që ankohet për pamundësinë për të kryer investime në rrjet, për shkak të çmimit të ulët. Çmimi i energjisë elektrike në Greqi është rreth 9 cent për kilovat dhe konsiderohet si çmimi më i ulët në listën e vendeve të BE-së, me përjashtim të Bullgarisë. Në kohën e rritjes së fortë të konsumit, Greqia importon sasi shtesë energjie nga Bullgaria dhe një sasi të vogël nga Shqipëria. Në shumë vende të Ballkanit ekziston frika e kufizimeve në ditë të caktuara të vitit, kur konsumi shkon përtej kapacitetit maksimal prodhues. Edhe zyrtarët e Bullgarisë, besojnë se vendi i tyre mund të pësojë kufizime në disa ditë të caktuara gjatë dimrit të ardhshëm.
Probleme nga temperaturat edhe në Shqipëri
Temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike edhe në Shqipëri. Rritja e menjëhershme e konsumit gjatë këtyre ditëve në 16.3 milionë kilovat/orë në ditë, ka sjellë edhe një hendek që është kompensuar me kufizime. Sipas zyrtarëve të qeverisë, “rritja e konsumit ka shkaktuar defekte në nënstacione e linja, gjë që ka sjellë kufizime të pjesshme të furnizimit”. Teknicienët e qeverisë vlerësojnë se këtë vit do të mungojnë në rrjet 250 GWh energji elektrike, gjë që nënkupton kufizime mesatare vjetore prej një ore në ditë.