Shkatërrohet tregu, produktet bujqësore shiten nën kosto. Fermerët: nuk i mbjellim më tokat
Çmimet e artikujve kryesorë ushqimorë shënuan rënie në fund të kësaj jave në tregjet e vendit, krahasuar me javën e kaluar, bënë të ditur sot burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas këtyre burimeve, kjo ulje çmimesh ka ardhur si pasojë e dominimit në treg të prodhimeve bujqësore sezonale të vendit.
Çmimet janë ulur me rreth 3 %, kryesisht për perimet e sezonit dhe sipas specialistëve të drejtorisë së statistikës të Dikasterit të Bujqësisë, kjo rënie e çmimeve për perimet e stinës do të vazhdojë edhe javët e ardhshme. Gjatë kësaj jave perimet u shitën më lirë në qytetet e Lushnjes dhe të Fierit. Nga ana e tyre fermerët bëjnë të ditur se me këto çmime tokat nuk ja vlen që të mbillen. “Jemi duke shitur një arkë 20 kilogramëshe me produkte të stinës me një çmim prej 100 lekë”, bën të ditur Petraqi, një fermer në tregun e shumicës në Lushnje. Një problem i tillë është i pranishëm çdo vit në zonat fushore, ku oferta e rritur në një hark të shkurtër kohor rrëzon çmimet në nivele minimale. Burime nga ana e Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur gjithashtu se në shkallë vendi ka një rritje të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe blegtoral, e cila e koordinuar dhe me faktorin sezonal kanë ndikuar në uljen e çmimit të shitjes së tyre. Edhe çmimet e prodhimeve të bulmetit pësuan rënie, një tendencë kjo që do të vazhdojë dhe gjatëjavës së ardhshme.