Shqipëria kërkon mbështetjen e Turqisë për projektin e gazsjellësit Shahdeniz që nis nga Azerbajxhani dhe kalon në Turqi. Ministri turk i energjisë, Hilmi Guler, ka bërë të ditur se kryeministri Berisha ka kërkuar nga Turqia që gazsjellësi Shahdeniz të mbërrijë edhe në Shqipëri. Sipas ministrit turk kërkesa e kryeministrit Berisha është bërë gjatë një takimi bilateral në kuadër të Samitit të Kroacisë.
Gazsjellësi që nis nga qyteti Baku i Azerbajxhanit kalon përmes Turqisë dhe për këtë arsye kryeministri i ka kërkuar ministrit turk që Ankaraja të ndihmojë Shqipërinë për të shtrirë këtë gazsjellës edhe në vendin tonë. Në Shqipëri nuk kalon asnjë projekt gazsjellësi apo nafte edhe pse ka shumë vite që përflitet për të tilla investime. Një i tillë është dhe projekti amerikan “AMBO”, por ende nuk ka pasur asnjë rezultat konkret për nisjen nga puna të këtij naftësjellësi.
Projektet
Një nga projektet e tjera që qeveria shqiptare ka shfaqur interes të veçantë është gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP). Gazsjellësi planifikohet të përshkojë Turqinë, Greqinë dhe Shqipërinë, me destinacion Italinë e Jugut dhe Evropën Perëndimore. Projekti i kompanisë është të ndërtojë rreth 520 kilometra për t'u lidhur me gazsjellësin ekzistues Turqi-Greqi, deri në Pulja. Ai pritet të ketë një kapacitet prej 10 BCM (miliardë metër kub) në vit dhe do të kushtojë rreth 1.5 miliardë euro. "Zvicra ka shpallur interesin për të blerë gaz në Azerbajxhan, ndërsa çështja do të diskutohet me detaje gjatë vizitës së presidentit Kushpen në Baku",- deklaroi Ambasadori i Zvicrës në këtë vend. Më herët, kompania EGL, e cila synon të ndërtojë gazsjellësin, ka nënshkruar një kontratë me Iranin për importimin e një pjese të gazit. Marrëveshja u kritikua ashpër nga qeveria amerikane, e cila ka deklaruar se nuk do të ofrojë bashkëpunim me këdo kompani evropiane që bashkëpunon me Teheranin. Kontrata me Iranin u nënshkrua më 17 mars dhe planifikon blerjen e 5.5 BCM gaz në vit. Çmimi i gazit varion nga 110 në 250 dollarë për mijë metër/kub.
Projekti i gazsjellësit TAP konsiderohet si konkurrencë e drejtpërdrejtë me projektin tjetër, atë të ndërtimit të një terminali përpunimi gazi të lëngshëm në bregun e Semanit. Terminali i gazit në Seman mbështetet zyrtarisht nga US-Exim Bank. Këto dy lloje infrastrukture në transportimin e gazit, janë në konkurrencë të fortë me njëra-tjetrën.