Përshëndetje! Sapo u ktheva nga Shqipëria. Jam lexues i rregullt i gazetës “Shekulli”. Po lexoj një letër nga një emigrant në SHBA i cili thotë se të qëllosh policin është një akt terrorist në të gjithë botën.
Po kur bëhet fjalë për atë pjesë (të madhe!) të policisë shqiptare që të prezantohen në detyrë duke ngrënë fara luledielli, që bien erë alkool sepse me sa duket pinë në orar të punës, që sillen si “taksambledhës” piratë?
Unë kthehesha nga Tirana e në të dalë të Pogradecit më ndalojnë dy policë qarkullimi për një kontroll kartash, por me sa kuptova vetëm kontroll nuk bënin. Me sa duket kishin dalë për kontroll xhepash. (vura re se ndalonin vetëm makinat me targa të huaja).
Ua dhashë kartat e makinës, por ata nisën nga presionet: do të bllokojmë makinën se ke patentë false. Nuk e kam të tillë. Kur u thashë që kisha dëshirë t’u jepja një kafe, mi kthyen kartat dhe më buzëqeshën madje. U largova nga vendlindja me këtë “kujtim të bukur”. Ndaj i them letërshkruesit që citova në fillim, që ndoshta nuk ka lindur në “Shqipërinë demokratike”, sepse në këtë vend, përfaqësuesi me uniformë i shtetit, sillet si simbol i injorancës.