Të jesh shtet është gati-gati njëlloj si të jesh shtëpi, e në këtë krahasim banal kam parasysh faktin se shteti ka ligjet e veta, kurse shtëpia ka rregullat. Një shtet pa ligje është inekzistent, ashtu sikurse një shtëpi pa rregulla nuk funksionon. Të jesh nënshtetas i shtetit tënd, pa dyshim që është një marrëdhënie e dyfishtë delikate që përmbledh detyrimin, nderin e interesin. Kushdo i detyrohet shtetit, ashtu sikurse ai ne, cilido e ka për nder të jetë individ i vendit të tij, por vetëm kur shteti nderon, përkrah dhe respekton nënshtetasin e vet, përndryshe...
Por ka raste kur edhe pse nuk je pjesëtar i një vendi, ti mban emrin e tij, dhe këtë nuk e pëshpërit, por e pohon me zë të lartë sepse e ndjen, sepse e ke patur dhe e ke të nevojshme, sepse ty nuk të pyeti askush kur të shkëputi prej trungut amtar.
Kuvendi Shqiptar miratoi së fundmi ligjin, sipas së cilit, shqiptarët e lindur jashtë Shqipërisë nuk mund të qëndrojnë në Shqipëri më shumë se tre muaj pa u pajisur me vizë.
Dakort!
Parë me syrin e rregullave dhe ligjeve, asgjë të keqe nuk sheh këtu, por të para me syrin e një njeriu të thjeshtë, të një njeriu që edhe pse ka lindur këtu, mban emrin kosovar, apo të një kosovari në Kosovë që quhet shqiptar, gjërat vrasin, sepse nuk është kaq e thjeshtë sa duket. Kemi 18 vjet që aspirojmë për të hyrë në Europë e këtë plasëm duke e pohuar me zë të lartë, paçka se loja po luhet ashtu sikur i intereson Europës dhe jo neve. Kemi vite që ëndrrën për një Shqipëri të madhe e do shumica e shqiptarëve, por s’e kuptoj se përse këtë s’e themi me zë të lartë, por veç me pëshpërima... A duhet një komb të mohojë ëndrrën e tij më të madhe?! Për hir të politikave, përse duhet të biem në kundërshtim me vetveten, apo se kështu i leverdis Serbisë, Greqisë dhe Europës? Tashmë njerëzit e kanë bërë fakt të kryer atë çka politikat s’e pranojnë: Shqipëria e madhe, ekziston në zemrat e të gjithë shqiptarëve.