Çfarë kanë bërë deputetët dhe qeveria aktuale e Partisë Demokratike për Shkodrën, veriun dhe varfërinë në zonat veriore në tre vite qeverisjeje ndërkohë që marrin rrogën prej 17 vjetësh prej votës veriore? Nuk dua që me këtë temë të ofendoj ndonjë simpatizant apo mbështetës të Partisë Demokratike, por dua të analizoj.
Për mendimin tim, nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka bërë në të gjitha zonat që nuk ia kanë dhënë votën në të shkuara. Thonë se veriu nuk pa pasur rrugë fare përpara se të vinin demokratët në pushtet, por rrugët tani po shtrohen në të gjitha qytetet e Shqipërisë e jo vetëm në Shkodër. Me dy rrugë të shtruara e me dy fuçi zifti, nuk mund të themi se kjo qeveri po e trajton Shkodrën në mënyrë speciale.
Aksi rrugor Tiranë-Shkodër është rruga e vdekjes sepse është e ngushtë në vajtje e ardhje e nuk është autostradë me të paktën dy korsi, ndërkohë që edhe kjo rrugë u shtrua nga qeveria e kaluar që pati vendos me e dënuar Shkodrën e veriun. Ka tre vjet që qeveria e re vazhdon me premtime e vonesa për ndërtimin e rrugës me Hanin e Hotit apo për urën e Bunës dhe këto nuk janë vepra që do të ndryshojnë zhvillimin e veriut sepse janë të vogla. Çfarë u bë me parqet industriale që na u premtuan? Qeveritarët e sotëm jetojnë në Tiranë, ndërsa kanë harruar se i kanë marrë votat në veri.