Më bëri përshtypje një shkrim në një të përditshme kosovare me titull “Hallall!”. Kjo fjalë e huazuar nga turqishtja që përdoret nga shqiptarët kur kërkon të përgëzosh dikë, i drejtohej ministrit të Arsimit të Kosovës, Enver Hoxhaj. Ku pas një raporti vlerësim-akreditimi të “British Council”, qeveria e Kosovës vendosi t’u ndalojë për këtë vit plot 31 universitete private të rekrutojnë studentë për shkak të mospërmbushjes së standardeve akademike, përjashto Universitetin Amerikan të Kosovës, por duke shkuar akoma më tej, ku një kontrolli të tillë do i ushtrohej edhe Universiteti Publik i Prishtinës në vijim të kësaj “furtune”. Besoj së është një nismë sa realiste, aq edhe e domosdoshme, pasi është shumë absurde që në një vend kaq të vogël, si në sipërfaqe, po edhe në numrin e popullsisë të jenë kaq shumë universitete private: plot 32 të tilla, ku për pasojë, as që bëhet fjalë për cilësi dhe seriozitet në punën e tyre.
Por mund të them se në universitete të tilla, të paktën në Kosovë, studiojnë dhe “studentë” nga Shqipëria që nuk kanë mbaruar fare shkollën e mesme, por ka dhe të tillë që nuk kanë mbyllur dhe ciklin 8-vjeçar. Po, po, mos t’u vijë çudi fare, është e vërtetë. Por nuk e di se si do bëhet me universitetet private, por pse jo dhe shtetërore që nuk janë pak në numër, që shtohen dita-ditës këtu në Shqipëri, pasi edhe ato janë mbushur me studentë të tillë. Dhe besoj se dhe këtu është “no coment” për cilësinë e tyre, si në kompletimin e tyre me staf profesional dhe për pasojë në cilësinë e mësimdhënies.
Shohim që po hapen shumë universitete, por asnjëherë nuk bëhet fjalë për profesionalizmin e tyre dhe nuk ka se si të bëhet, kur kohë më parë dhe Universiteti i Tiranës kërkonte me ngulm pedagogë, pasi kishte mungesë në numër. Atëherë, kush jep mësim në ato privatet ose dhe shtetëroret nëpër rrethet, sidomos ato larg metropolit, kur e dimë fare mirë që dhe ato pak studentë të shkëlqyer, por edhe të tjerë që janë nga rrethet dhe mbarojnë studimet në Tiranë, asnjëherë nuk kthehen në bazë. Pasi ata duan ta gjejnë vetveten atje ku duken, atje ku jeta gumëzhin, ndoshta dhe atje diku larg metodave të qeverisjeve me klane dhe fise. Kështu që, dashje pa dashje, periferitë lënë shumë për të dëshiruar. Duhet të bëhet dhe t’i kushtohet një vëmendje shumë e madhe fushës së Arsimit, pasi këtu fillon A-ja e dijes, shkencës dhe politikës, drejtimit dhe e të ardhmes së vendit të çdo kombi. Ja pse edhe në Shqipëri duhet të vijë urgjent anglezët e “British Council”.