Jam Viktor Hila, banor i Komunës Guri i Zi, në Shkodër. Me anë të kësaj letre dua të raportoj për një shqetësim jo vetëm timin personal por dhe komunitetit ku unë jetoj. Komuna Guri i Zi dhe pse merr fonde të pakta, ato i shpenzon për qëllime dëfrimi, ndërsa ka mjaft probleme ku ato mund të investoheshin.
Komuna e Gurit të Zi, abuzon me paratë e taksapaguesve. Një ndër sloganet kryesore të fushatës elektorale të PD, në vitin 2005, ishte: “Me duar të pastra”. Më pas, zoti Berisha deklaroi tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, luftë kundër korrupsionit dhe se çdo zyrtar i shtetit shqiptar do të përgjigjej deri në një për çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë. Dua të evidentoj një fakt se si funksionon qeveria “me duar të pastra” e PD-së në pushtetin vendor. Konkretisht, bëhet fjalë për një nga komunat më të varfra të qarkut të Shkodrës, atë të Gurit të Zi, e cila që me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri qeveriset nga përfaqësuesit e PS. Prej ditësh, komuna shërben në mënyrë të reduktuar, pasi kryetari, një pjesë e stafit të komunës dhe disa prej anëtarëve të Këshillit të Komunës ndodhen me pushime në Turqi. Kjo, pasi Këshilli i Komunës ka miratuar një fond prej 16 mijë eurosh për këtë qëllim, duke mundësuar që 17 anëtarë të këtij këshillit dhe 15 pjesëtarë të administratës të kalojnë pushimet në Turqi me paratë e taksapaguesve.
Dhe kjo ndodh në një kohë kur kjo komunë ka mjaft probleme dhe këto para do të mund të viheshin në shërbim të komunitetit për të lehtësuar sado pak vështirësitë me të cilat ai ndeshet. Dhe kjo është padyshim një abuzim i pastër kur drejtues e staf i komunës, së bashku me një pjesë të anëtarëve të këshillit të saj, i përdorin paratë për të pushuar në Turqi. Madje disa nga këshilltarët që nuk kanë dashur të shkojnë për këto pushime për arsye të ndryshme, e kanë marrë pjesën e tyre të parave, pra 500 euro, si para në dorë. Kjo është vetëm një pjesë e atij abuzimi të madh që bëhet me komunën tonë prej 17 vitesh. Edhe ato pak investime që janë bërë, lënë mjaft për të dëshiruar në drejtim të cilësisë së tyre dhe nuk i shërbejnë si duhet komunitetit. Ky është një shembull i qartë i qeverisjes “me duar të pastra” të përfaqësuesve të PD-së, të cilët sloganin e trumbetuar nga formacioni i tyre politik, e kanë zëvendësuar me abuzimin për qëllime personale.