Na vjen vërtet keq dhe solidarizohemi plotësisht me grevën e minatorëve, për vuajtjet e sakrificat që kanë hequr duke punuar për së gjalli në varret e minierave. Të drejtat tuaja, të dashur minatorë, janë plotësisht legjitime. Po ku e kërkoni këtë të drejtë, ku do ta gjeni e realizoni këtë të drejtë?
Ku ta gjejnë të drejtën të papunët, ku ta gjejnë të drejtën ish-ushtarakët? Ju kërkoni status d.m.th., ligj. Por ta dini se statuse ka shumë të shkruar në letër e të miratuar (Statusi i Invalidit, Paraplegjikëve, të Papunëve, i të Përndjekurve, ish-ushtarakëve etj.), por asnjëherë nuk zbatohen. Edhe juve mund t’ju jepet ndonjë status, sa për t’ju gënjyer e mashtruar...
Këtë shtet kemi, këto lloj qeverish kemi patur e kemi. Këto 18 vjet, hipokritë të të gjitha ngjyrave na drejtojnë e udhëheqin. Hidhen e përdridhen, shahen e fyejnë njëri-tjetri. Opozita me pozitën, në syrin tonë lot krokodili lëshojnë gjoja për popullin e nga ana tjetër, hanë e pinë me njëri-tjetrin, duke ruajtur pozicionet e pasurive të pamerituara.
Grinden me njëri-tjetrin se si të vjedhin më shumë vota e si të kenë në anën e tyre gjyqtarët për të mbuluar vjedhjet, zullumet, tragjedinë e Gërdecit e tjerë e tjerë që s’kanë fund. Në kohë fushate, i zbresin gomarit, ecin disa metra rrugë në këmbë duke lypur, hedhin ca “bajga”, prapë i hipin përsëri e nuk i zbresin më.
Ne ushtarakët, ju këshillojmë si vëllezër: Mos bini pre e provokimeve, fjalëve të bukura e lajkave të tyre. Luftoni deri në fund për të drejtat tuaja.