Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë ka marrë një vendim sipas të cilit, nga Lugina e Preshevës dhe nga Mali i Zi, në Universitetin e Prishtinës, në vitin akademik 2008-2009 do të pranohen vetëm 306 studentë, të cilët në vendim quhen paturpësisht “studentë nga rajoni”.
Është ky një akt absurd diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, akt i cili do të ketë (siç ka pasur edhe në të kaluarën) pasoja mjaft të rënda për këtë popullatë shqiptare (edhe ashtu shumë të shtypur nga Serbia e Mali i Zi), si dhe pasoja në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve në përgjithësi.
Presheva, Bujanoci e Medvegja janë tri komuna të banuara me shumicë shqiptare, të cilat padrejtësisht iu shkëputën Kosovës. Afër 100 mijë shqiptarë të këtyre komunave, që nga aneksimi që iu bëri Serbia, nuk kanë pasur ndonjëherë mundësi tjetër të shkollimit të lartë në gjuhën amtare përveç në Kosovë. Në kushte pothuajse të njëjta ndodhen edhe shqiptarët në Malit të Zi.
Kërkojmë nga MASHT-i që pa asnjë vonesë ta rishqyrtojë vendimin e datës 20.06.2008 dhe studentët shqiptarë që vijnë nga Lugina e Preshevës dhe nga Mali i Zi, të barazohen me studentët shqiptarë të Kosovës; kërkojmë nga MASHT-i që publikisht t’i kërkojë falje popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve që jetojnë nën Mal të Zi, për trajtimin joadekuat të tyre.