Në biznesin privat, shoqëria shqiptare po orientohet drejt profesionizmit dhe sjelljes profesionale në vendin e punës. Administrata shtetërore në këtë drejtim ka ngelur në vendnumëro. Nuk ka as etikë e as mirëkuptim minimal njerëzor në zyrat e shërbimeve publike të shtetit.
Nejse, doja të flisja rreth shkrimit të botuar në Shekulli Online rreth marrëdhënieve mes burrave dhe grave. Është e vërtetë që burrat i duan gratë më të reja, me karrierë më pak të spikatur se e tyrja, me rroga më të vogla se të tyret. Ngritja në karrierë e grave si edhe marrja e pagave të larta nga ana e tyre, përjetohet shumë keq nga burrat. (Pavarësisht se ata nga ana tjetër ndihen krenarë për to, si edhe parave që ato fitojnë ua gjejnë vendin.)
Bazohem në eksperiencën e më shumë se e një çifti të vetëm, kur shkruaj. Ata nuk e mbështesin karrierën e tyre, kur kanë mundësi e lënë sa më shumë në hije të jetë e mundur. Kur nuk kanë më mundësi ta pengojnë karrierën e grave të tyre, gjenerojnë sherre të pafund - që mesa duket vijnë nga fakti që ata nuk ndihen rehat.
Po jam dakord me autoren e artikullit, që e përgëzoj për problemin që ngre, se kohët po ndryshojnë dhe burrat duhet të mësohen me këtë. Vetëm një koment: Kohët po ndryshojnë, por shpirti na e di, se me çfarë kostoje!