Dëshmia në gjykatë e kreut të policisë bashkiake. Prokuroria kërkon që seancën e radhës të pyetet vetë kryebashkiaku
VLORË- Tabelat në gjuhën shqipe në Himarë janë hequr me urdhër të Vasil Bollanos nga ana e policisë bashkiake. Kështu ka dëshmuar në seancën e djeshme gjyqësore kreu i policisë bashkiake të qytetit të Himarës. Aleks Teli, është një nga dëshmitarët e thirrur nga prokurori i akuzës Sokol Malaj. Shefi i policisë bashkiake ka shpjeguar se është vepruar në zbatim të ligjit, i cili përcakton se policia bashkiake heq të gjitha tabelat që janë pa autorizim dhe urdhër të bashkisë.
Pyetur nga përfaqësuesi i akuzës, Teli tha se u ka kërkuar punonjësve një urdhër të tillë dhe në dhjetor të vitit 2007, ka hequr tabelat sipas urdhrit të nxjerrë nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano. Ai ka shpjeguar përpara gjykatës se ka qenë kryetari i bashkisë ai që ka urdhëruar policinë për të hequr tabelat dhe në këto kushte policia i është bindur.
Dëshmitari i djeshëm është pyetur më pas në lidhje me kontaktet që ka pasur me firmën që ka vendosur tabelat, dijeninë se kush ka qenë autoriteti që ka vendosur tabelat e detaje të tjera, kryesisht teknike në lidhje me to. Teli ka dhënë shpjegimet e tij për secilën nga pyetjet. Në fund të seancës, kreu i prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj, i cili përfaqëson akuzën në procesin e hapur në ngarkim të kryetarit të bashkis së Himarës, ka kërkuar paraqitjen e të pandehurit Vasil Bollano në seancën e radhës. Edhe gjykata e ka pranuar këtë kërkesë dhe ka urdhëruar që punonjësit e gjyqit t’i dorëzojnë Vasil Bollanos fletë-thirrjen për tu paraqitur në seancën e radhës. Gjatë kësaj seance pritet që prokuroria të marrë në pyetje kryebashkiakun e Himarës në lidhje me çështjen e tabelave.
Vasil Bollano, është marrë i pandehur nga prokuroria për heqjen e sinjalistikës rrugore nga fshati Qeparo deri në Qafë- Llogora. Sipas prokurorisë, pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Seanca e radhës për kreun e bashkisë së Himarës do të zhvillohet në datën 19 shtator, ndërkohë që vetë kryebashkiaku nuk është paraqitur asnjëherë në çështjen e hapur nga Prokuroria e Vlorës, por është përfaqësuar nëpërmjet avokatit mbrojtës, Petraq Curri.