Flakët e para kanë nisur tek disa barishte e më pas kanë përfshirë kompleksin si dhe një pjesë të Pyllit të Sodës
VLORË- Flakët e zjarrit kanë dëmtuar paraditen e djeshme në zonën e Pyllit të Sodës në Vlorë. Ato kanë dëmtuar thuajse tërësisht ambientet e ish-pularisë si dhe një pjesë të konsiderueshme sipërfaqe pyjore në këtë zonë. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të paradites. Banorë përreth zonës janë alarmuar kur kanë parë tymin e më pas flakët. Prania e disa baterive sipas tyre por edhe afërsia me kabinën elektrike, kanë përcjellë te ata gjendje alarmi dhe njëkohësisht i kanë vënë në lëvizje.
Banorët pohojnë se tymi është parë rreth orës 10 të paradites dhe shumë shpejt zjarri është përhapur në një zonë të gjerë brenda godinave si dhe rreth tyre. Për fikjen e tij janë mobilizuar efektivët e pyjores, të cilët kanë mbërritur të parët në zonë, si dhe më vonë ka mbërritur mjeti zjarrfikës. Shefi i policisë pyjore, Agron Ruka, i pranishëm në vendngjarje tha se nuk dinin çfarë mund të kishte brenda kapanoneve të ish-pularisë. Për këtë arsye ata kanë punuar me shumë kujdes në këtë zonë. Po kështu zona ngjitur me pyllin e sodës dhe ndikimi i erës në orët e paradites, përbënte një kusht më tepër për rrezikimin real të drurëve të pyllit të sodës.
Zjarri është përhapur më pas në disa vatra njëkohësisht dhe kjo e ka bërë të vështirë ndërhyrjen. Nga ana e ndërmarrjes pyjore pohohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, duke u bërë një rrezik real për një përhapje të mëtejshme në pyllin e sodës. Dyshimi se në këtë zonë mund të ndodheshin mjete të rrezikshme, si dhe disa bateri, e kanë bërë më të vështirë operacionin për shpëtimin nga zjarri. Janë dashur edhe efektivë të tjerë zjarrfikës si dhe mjete të tjera për të normalizuar situatën, ku gjithçka është qetësuar vetëm dy orë më pas. Ish- pularia, dikur pronë e firmës Kamberi, nuk funksiononte më si e tillë, por brenda dy kapanoneve ka pasur makineri dhe mjete të reja. Nga pesë kapanonet, janë dëmtuar tërësisht dy prej tyre. Mendohet që fillimisht zjarri të jetë vënë për djegien e barishteve, e më pas kontakti me ndonjë përbërës si dhe era kanë gjallëruar flakët. Në policinë e Vlorës ka pasur të shoqëruar për ngjarjen, por jo emër konkret për autorësinë.