Dosjet janë nxjerrë nga pluhuri por ende hetuesit e kryeqytetit nuk kanë zbuluar prova të reja që t’i drejtojnë tek autorët
TIRANË- Megjithëse kanë kaluar disa vite, rreth 35 vrasje të cilat kanë tronditur Tiranën ende janë pa autor, ndërsa hetuesit kanë mundur t’i nxjerrin nga sirtarët dosjet e ngjarjeve më të bujshme. Rreth një vit më parë, drejtuesit e dikasterit blu, urdhëruan zyrën e vrasjeve pranë policisë së Tiranës të rihapnin vrasjet e ndodhura 16 vitet e fundit me qëllim dokumentimin e plotë të tyre.
Burime nga policia thanë dje për “Shekullin” se janë shfletuar të gjitha dosjet e vrasjeve të ndodhura në vite dhe për një pjesë të mirë të tyre, policia ndihet optimiste në identifikimin e autorëve. Por ka kaluar një vit nga “urdhri i shefave” dhe hetuesit ende nuk kanë mundur të identifikojnë e të çojnë pas hekurave autorët e vrasjeve më të bujshme të ndodhura në kryeqytet, mes të cilëve viktima kanë mbetur biznesmenë, apo edhe femra. “Të gjitha dosjet e vjetra janë rihapur, dhe po hetohen, por mënyra e ekzekutimit e cilësuar si profesioniste e pa prova të lënë në vendngjarje ka vështirësuar punën e hetuesve”, thanë burimet policore.
Vrasjet
Në listën e gjatë të vrasjeve të cilat ende nuk kanë autorë, figurojnë edhe femra. Nga duart e oficerëve të policisë kriminale po shfletohen dosjet në të cila janë regjistruar vrasjet e disa femrave të ndodhura vitet e fundit në Tiranë. Dosja, “Kozeta Hyseni”, “ Vajza e Zall-Herrit” apo “Erieta Avdyli”, apo edhe zhdukja misterioze e Irena Selit, i është kthyer policisë së Tiranës për të identifikuar autorët e ekzekutimit të tyre.
Ndërsa për zhdukjen e Irena Selit, policia po heton për të zbuluar vendndodhjen e saj që sipas familjarëve të saj ka pak gjasa që ajo të jetë gjallë, duke kërkuar prej policisë përgjegjësit e zhdukjes misterioze të Irenës. Ndërkohë vrasjet e tipit mafioz pas viteve 2000 në Tiranë sollën eliminimin e disa biznesmenëve. Larje hesapesh, konkurrenca, konflikte, ishin disa nga motivet dyshuese që fillimisht policia hetoi fill pas këtyre ngjarjeve të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme në Tiranë.
Por asnjëherë nuk u provuan këto shkaqe, duke mbetur bosh shkaku dhe autori i këtyre ekzekutimeve në dosjet e tyre. Jo vetëm kërkesa intensive e familjarëve të viktimave por edhe zyrtarët e dikasterit blu kishin prioritet zbardhjen e ngjarjeve të vjetra, gjë e cila detyroi zyrën e vrasjeve pranë drejtorisë së policisë së Tiranës të shfletojë edhe njëherë nga e para dosjet e tyre të cilat deri një vit më parë ishin fashitur.
Vështirësia e hetimeve
Florian Vila, Ledjo Bejleri, Edmond Malollari, Vajdin Lame, apo Agim Reçi janë disa biznesmenë që ekzekutimet e tyre janë cilësuar si vrasje të tipit mafioz, për shkak se autorët kanë ditur mirë të organizojnë eliminimin për të mos lënë në vendin e ngjarjes asnjë gjurmë të tyre. Për mungesë provash, rreth 35 vrasje mes të cilave bëjnë pjesë edhe ekzekutimet e biznesmenëve, u janë rikthyer policisë me qëllim gjetjen e provave. Por sipas policisë, është tepër e vështirë të mblidhen prova pasi kanë kaluar vite nga momenti kur ka ndodhur ngjarja, ndërsa edhe gjetja e dëshmitarëve të tyre është pothuajse e pamundur pasi nuk dihet vendndodhja e tyre. “Disa ekzekutime dyshohet të jenë kryer nga duar të vrasësve me pagesë për të cilët është e vështirë zbulimi i tyre”- tregojnë burimet policore. Megjithatë policia e Tiranës u shpreh se po heton këto dosje të bujshme me qëllim gjetjen e motiveve dhe autorëve të tyre.
---------------------
Të ekzekutuarit
Kozeta Hyseni gjendet e masakruar në hyrje të Qytetit Studenti më 19 shkurt të vitit 1999
Sali Tivari u gjet i vrarë më 13 janar të vitit 2003
Florian Vila u vra më 9 prill 2003 pranë banesës së tij në Tiranë
Ledio Bejleri u vra në vitin 2003
Vajdin Lame u vra në ashensorin e pallatit të tij në vitin 2005
Edmond Malollari u vra në hyrje të pallatit të tij në vitin 2005
Klajdi Prenga u vra në vitin 2005
Julian Agolli u vra në vitin 2005 në hyrje të pallatit të tij
Agim Reçi u vra pranë pallatit të tij në vitin 2007