52- vjeçarja, Hanëme Shandori, u merrte nga 160 mijë lekë të reja njerëzve pasi iu premtonte viza, punë në ambasadë dhe kredi
TIRANË- Premtonte viza për në SHBA, punësim pranë Ambasadës Amerikane si dhe lehtësim për marrje kredie në Bankën Amerikane. Pasi iu prezantohej si punonjëse pranë Ambasadës, 52-vjeçarja Hanëme Shandori u bënte premtimet qytetarëve të ndryshëm të cilët linin si garanci një shumë të konsiderueshme parash. Por muaj më vonë ata diktuan se ishin mashtruar prej saj.
Kështu pas denoncimeve të kryera në policinë e Tiranës, kjo e fundit çoi në qeli 52-vjeçaren Hanëme Shandori. Burime zyrtare nga policia thanë se ditën e djeshme u organizua një operacion i koduat “Rruga e Elbasanit’ i cili u finalizua me arrestimin e gruas e cila dyshohet se mashtronte qytetarë të ndryshëm. Të njëjtat burime shtuan se e arrestuara dyshohet të ketë mashtruar rreth 32 persona të cilët ishin të interesuar për të punuar pranë Ambasadës Amerikane, vizë për në SHBA si dhe për kredi në bankën Amerikane.
Mashtrimi
Mashtrimi i 52-vjeçares Hanëme Shandori dyshohet të ketë zanafillën muaj më parë, kur ajo pasi u prezantua te një qytetar si punonjëse e Ambasadës Amerikane, i premtoi se do t’i gjente një vend pune edhe atij pranë kësaj ambasade. Por fillimisht ai duhet të paguante një shumë parash e më pas do të rregullohej me punë.
Kështu Shandori vazhdoi me një seri mashtrimesh ku veç premtimeve për të punësuar qytetarët në Ambasadën Amerikane, ajo sajoi edhe pajisjen me viza për në SHBA si dhe lehtësimin e marrjes së kredive në bankën Amerikane. Për tu bërë më e besueshme gruaja i takonte shpesh herë “klientët” e saj duke iu kërkuar atyre dhe dokumentet që ata duhet të paraqisnin për tu pajisur me vizë apo për të marrë kredi. “Dyshohet se Hanëme Shandori, fillimisht iu kërkonte si garanci, shumën e parave prej 160 000 lekësh për person, duke u premtuar lehtësimin e procedurave për marrjen e kredive bankare, pranë Bankës Amerikane në Tiranë.
Ndërsa në ngarkim të saj, kanë deponuar kallëzim penal, pranë strukturave të seksionit Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko- Financiar, 19 qytetar të dëmtuar prej saj, ndërsa dyshohet se ajo ka mashtruar më shumë se 32 persona”,- thanë burimet zyrtare të Policisë së Tiranës.
Denoncimet
Pasi u merrte u merrte paratë, 52-vjeçarja Hanëme Shandorii mbante me shpresë “klientët” e saj për një periudhë të shkurtër kohore dhe më pas tentonte të humbte kontaktet me ta. Të paktën kështu kanë deklaruar të dëmtuarit në polici, të cilët pasi diktuan mashtrimin e gruas kërkuan ndihmën e policisë. “Të dëmtuarit e kuptuan që nuk do të mund të siguronin as punë në ambasadë, as vizë për në SHBA madje as lehtësim për marrjen e kredisë në Bankën Amerikane. Ata kërkonin vetëm kthimin e parave që kishin dorëzuar të 52-vjeçarja si garanci si dhe të dokumenteve që i kishin paraqitur asaj, ndërsa denoncuan mashtrimet e saj”,- thanë për “Shekullin” burimet policore. Policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur gruan e cila kishte mundur të mashtronte më shumë se 32 persona.
Ditën e djeshme, policia e kryeqytetit mundi të çonte në qeli 52-vjeçaren. Policia e Tiranës deklaroi se gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në ambientet e banesës së Shandorit, ju gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale praktikat e rreth 23 qytetarë të ndryshëm, dokumentacion të cilin e paraqisnin pranë saj, me synim punësimin apo për tu nxjerrë vizë në drejtim të SHBA. 52-vjeçarja akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit më shumë se njëherë”. Ndërkohë policia e kryeqytetit u bën thirrje qytetarëve të cilët janë të dëmtuar, nga kjo grua të paraqiten pranë zyrave të seksionit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë për të kryer kallëzimin.