Kryeministri Sali Berisha humb kontrollin. Ofendon rëndë deputetin Balla. Në 3:00 të mëngjesit, sherr mes deputetësh
TIRANË- Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në këto 18 vite, janë parë lloj-lloj skenash; nga rrahjet, thyerjet e vazove, shkuljet e mikrofonave, duke kaluar deri edhe në ofendime. Por të gjitha këto skena të mbështjella me akuza dhe jo pak herë me kërcënime, kanë qenë mes deputetësh e tek-tuk me protagonist ndonjë ministër. Ndërsa duke u gdhirë mëngjesi i dy ditëve më parë, u shënua një rekord i ri parlamentar. Protagonist i një fjalori të paprecedentë ishte kryeministri Sali Berisha. Kohë më parë ai i kishte thënë deputetit socialist Taulant Balla se, “do ia bënte fytyrën si shollë këpuce”, por rreth orës 02:20 të mëngjesit, fjalori dhe kërcënimet po ndaj Ballës nga goja e shefit të qeverisë ishin të padëgjuara më parë. Berisha u mor me familjarët e deputetit socialist të Librazhdit, duke i ofenduar rëndë. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit shpërtheu me tone urdhëruese ndaj punonjësve të Gardës për të nxjerrë “prej zhelesh” deputetin Balla. Në një situatë gjaknxehtë, ku u përfshinë edhe deputetë nga salla, kryeministri Berisha vijonte t’i drejtonte gishtin Ballës, ndërsa ky i fundit nuk e lëshonte podiumin ku po diskutonte për Buxhetin Suplementar të qeverisë. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit ka ndërprerë seancën. Por edhe pas ndërprerjes së seancës, ku mjaft medieve nuk ju lejua që të transmetonin direkt debatet në sallë, kryetarja Topalli zbriti nga podiumi i saj, duke riurdhëruar punonjësit e Gardës që të nxirrnin jashtë deputetin socialist. Debati ka vazhduar gjatë mes deputetësh, ku nuk kanë munguar as fyerjet ndaj njëri-tjetrit, aq sa rreth orës 02:40 të mëngjesit, Kuvendi mund të përjetonte një tjetër “përleshje”, teksa punonjësit e Gardës u detyruan që të mbanin edhe ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, i cili ishte lëshuar nxitimthi ndaj një deputeti të palës tjetër, që me sa duket kishte lëshuar ndonjë fjalor të pakëndshëm.
Çfarë tha Balla?
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla e mori fjalën për projektbuxhetin aty pas orës 02:00 të mëngjesit, dhe në mungesë të Kryeministrit, tha se ai ishte larguar “pasi në shtëpinë e tij kishte plasur sherri pasi u mor vesh që vajza e Godos do bëhet Ministre e Shëndetësie, se edhe vajza e tij do të bëhet edhe ajo ministre, e pse jo Kryeministre”. Pikërisht në këtë moment hyri nxitimthi Kryeministri, i cili nuk e ka pritur aspak mirë deklaratën e Ballës. Kryeministri i vendit ofendoi rëndë pjesëtarët e familjes së deputetit, që jo pak e thumbon dhe akuzon Berishën për keqqeverisje gjate seancave parlamentare. Por Berisha në fakt e kishte nisur shoë-n e tij parlamentar me deputetin socialist, Arben Malaj. Në lartësinë e Berishës për ofendime ishte edhe ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve, Ylli Pango. Kështu që nga seanca për të debatuar projekt-buxhetin suplementar, ajo e së hënës ishte një seancë e turpshme për përfaqësuesit e qeverisë dhe për vetë Kryeministrin, pasi fjalori që u përdor nga ata që sot na qeverisin është vërtetë për t’u renditur i zbardhur në arkivën muzeale të bëmave të politikës shqiptare dhe për të reflektuar në të njëjtën kohë.
Të gjitha debatet e djeshme në Kuvend
Berisha-Malajt: Në Harvard po shkove, me shkollë nate të Llakatundit do mbetesh ti. Po, zotëri, ta them unë ty. Ndaj, bëjeni zemrën gur dhe votojeni buxhetin.
Topalli- Malajt: Ulu aty se nuk të kam dhënë lejen, ulu. Nuk ta përmendi njeri emrin. Ulu, ulu zotëri.
Malaj: Edhe pa bërë Harvardin, të paktën unë bëra një gjë për këtë vend. E nxore nga kriza ku e dogje ti. Jam krenar që jam rritur me familje me tetë fëmijë dhe kam bërë atë shkollë me sakrificë. Unë jam krenar që kam dalë me rezultate aq më të mira, sa të krahasohem me shumë nga ministrat e tu. Ajo që është e paqartë për publikun është ndjenja jote kriminale për çdo njeri që arsimohet.
Pandeli Majko-Berishës: Ore zotëri, vuan nga një patologji që e kanë në fakt doktorët e zëmrës. Jemi mësuar me pacientë që i keni në reanimacion dhe u thoni: “Je shumë mirë, nuk ke asgjë”. Shqipëria është bërë si pacient reanimacioni dhe ti thua je mirë, po rrisim pagat, po rrisim pensionet... A i ke parë listat (e bukës) se sa kanë vajtur krahasuar me vitin 2005. Më përmend edhe Maliqin këtu. Hajde të shkojmë në Maliq. Çfarë ke bërë për Maliqin?
Ylli Pango-Pëllumb Xhufit: Dhe ky njeri, veç të tjerash, më fal që po ta them, është edhe pak i trashë. Habitem se si e zure në gojë Enverin, o njeri që ke filluar karrierën duke bërë krushqi me Enverin. Dhe e dyta dhe më e rëndësishmja. Nuk ka në këtë Kuvend epitet më të gjetur dhe e them që do të mbetet në histori sesa epiteti “historiani i leshit”, e kam fjalën për leshin që bëhen trikot.
Debati Balla-Berisha
Tauland Balla: Të nderuar kolegë deputetë, një ndër arsyet më të rëndësishme që k
Kryeministri është larguar më herët se të gjithë deputetët nga seanca sot është që për shkak se ka dalë emri i vajzës së Sabri Godos për Ministre e Shëndetësisë, Kryeministrit i ka plasur sherri në shtëpi se edhe vajza e tij do të bëhet edhe ajo ministre, e pse jo kryeministre. Të nderuar kolegë deputetë, përballë një Kryeministri dhe një Qeverie mashtruese, është e kotë që në analizën e këtij Buxheti të hyjmë në detaje me shifrat e tij...
Berisha: Jot shoqe, çfarë do bëhet?... Jot motër çfarë do bëhet?
Balla: Po, se di...
Berisha: Çdo bëhet, fundërrinë jot motër?
Balla: Ej, mbush ti apo jo?
Berisha: Prostitutë motelesh do bëhet?
Balla: Po si nuk të vjen turp more!
Topalli: Ulu z.Balla, ulu! Në fakt, ky e meriton me e kap për zhelesh e jashtë!
Berisha-Ballës: Jot motër të shkërdhehet* hoteleve apo moteleve?
Topalli: Nxirreni jashtë atë zotërinë, nxirreni jashtë! Zotëri, kape jashtë e nxirre. Vagabond! Ik andej! Ik! Del jashtë! Edhe nuk hyn më.
Topalli-deputetëve të PS-së: Ju duhet t’i tërhiqni vëmendjen!
Topalli: Ore zotëri oficer e shikoni atë që vazhdon. Ndërpritet seanca.
----------------------------------
*Gazeta “Shekulli” i kërkon ndjesë lexuesit për shkeljen e etikës në përdorimin e kësaj fjale. Por publikimi i saj në këtë rast është i domosdoshëm pasi bëhet fjalë për fjalorin e Kryeministrit të vendit në Parlament.
Deputeti i PS-së, Taulant Balla jep versionin e tij të ngjarjes lidhur me debatin e mbrëmshëm
Berisha-Ballës: Ti nuk shkel me ne parlament!
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar dje se, gjatë debatit të rëndë të shoqëruar dy net më parë në Kuvend, është kërcënuar me jetë nga kryeministri Sali Berisha. Përpos asaj që është bërë publike tashmë, Balla ka sqaruar për mediat edhe versionin e tij të ngjarjes, duke bërë publike të pathënat e debatit mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha. Balla ka sqaruar çdo detaj duke filluar nga momenti i hyrjes së tij në sallë, e deri tek deklarata e tij për vajzën e Kryeministrit. “Në momentin që Kryetarja më dha fjalën dhe unë fillova të flisja, Berisha ka dalë me shpejtësi nga zyra e Topallit dhe hyri me nxitim në sallë. Në këtë moment unë e kisha mbaruar parantezën time lidhur me mundësinë e emërimit të vajzës së Godos në pozicionin e Ministres së Shëndetësisë. Më pas fillova të lexoj fjalimin tim për buxhetin. Në këtë moment dëgjoja nga prapa që Berisha kishte hyrë në sallë dhe po më bërtiste nga prapa: "Po nëna jote, gruaja jote, motra jote, ku janë? Në bordello i ke? Ti ke çuar njerëzit e tu në bordello (këtë e përsëriti disa herë). Më pas, shumë deputetë të PD-së u drejtuan drejt foltores. Berisha filloi të bërtiste edhe më shumë, duke më thënë: "Ti nuk shkel më i gjallë në këtë Parlament. Unë do të të vras", - citoi Balla, duke vijuar më pas me qëndrimin tashmë të bërë publik nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit, dy net më parë, i bëri thirrje Ballës që të largohej nga salla, ndryshe Garda do të merrte masat. Deputeti i PS-së, Taulant Balla ka bërë këtë shpjegim edhe në mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së. Pas përfundimit të mbledhjes, ai nuk dha asnjë koment, përpos sqarimit të bërë dje pasdite për përfaqësuesit e medias mbi të vërtetën e debatit të tij me kryeministrin Sali Berisha. Kjo nuk është hera e parë që Balla dhe Berisha konfrontohen me njëri-tjetrin, ndërkohë që reagimi i djeshëm i kryeministrit Berisha ka qenë tepër i rëndë, aspak etik dhe kërcënues në të njëjtën kohë.
Nuk merret asnjë masë disiplinore ndaj kryeministrit Sali Berisha
Byroja e Kuvendit: Balla përjashtohet për dy javë
TIRANË - Plot 15 ditë pezullim nga jeta parlamentare dhe përgjysmim rroge ka qenë vendimi i djeshëm i Byrosë Parlamentare, vetëm me anëtarët e mazhorancës, pa praninë e opozitës, për deputetin e PS-së, Taulant Balla. Byroja nuk mori asnjë masë disiplinore ndaj kryeministrit Sali Berisha, përpos fjalëve fyese të përdorura nga ana e tij në Kuvend. “Deputeti Taulant Balla përjashtohet nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve të Kuvendit dhe seancave plenare për një periudhë 15-ditore. Masa disiplinore shoqërohet me sanksionin financiar, ndalimin e pagës për 15 ditë”,- thuhet në vendimin e djeshëm të Byrosë Parlamentare. Vendimi u miratua me votat e katër deputetëve, Jozefina Topalli, Fatos Beja, Arjan Madhi dhe Ramiz Çoba dhe me votën kundër të deputetit të PBDNJ-së, Spiro Peçi. Në relacionin që shoqëron vendimin, thuhet se ka qenë deputeti i PS-së, Taulant Balla, ai, që sipas anëtarëve të byrosë ka shkaktuar rrëmujën në sallën e seancës plenare, e për rrjedhojë, ka krijuar probleme serioze në mbarëvajtjen e punës së Parlamentit. “Kryetarja e Kuvendit i ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të vazhdueshme deputetit Balla, por ai ka vazhduar të kryejë shkeljet e mësipërme, në kundërshtim të hapur me nenet 62 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit. Në mbështetje të nenit 65, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar të dalë nga salla dhe ka ndërprerë seancën plenare. Deputeti Balla nuk i është bindur këtij urdhri dhe ka kundërshtuar daljen nga salla. Për më tepër, ai ka vazhduar të provokojë rrëmujë në sallë dhe të përdorë fjalë fyese, duke konsumuar shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit, parashikuar nga neni 65, pika 2 e saj”,- thuhet në relacionin që shoqëron vendimin.