Dhjetëra banorë kanë protestuar dje përpara prokurorisë së Vlorës duke akuzuar edhe dhëndrin e kryeministrit
VLORË- “Mos tjetërsoni pronat tona! Mafia kërkon pronat e bregdetit!”. Këto kanë qenë parulla që dominonin protestën e banorëve të zonës nga grykëderdhja e Vjosës në Zvërnec në Vlorë. Pasi kanë protestuar disa ditë më parë para godinës së qarkut të Vlorës banorët që pretendojnë se po i zhveshin nga pronat, ata kanë rinisur protestën e tyre para organit të akuzës së Vlorës. Rreth 60 protestues nga kjo zonë, me parulla në duar ku kërkohej prona, thanë se duan drejtësi për çështjen e pronave, e cila po i zvarrit për vite të tëra. Madje banorët kanë akuzuar edhe dhëndrin e kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezin, se po ndikon negativisht në këtë proces pasi ka interesa personale.
“Njerëz anonimë po vijnë të na zaptojnë pronat, por nuk do të lejojmë askënd ti cenojë ato”,- thanë protestuesit. Ndër të tjera, ata kanë përmendur se pas anonimatit të pronarëve të rinj, fshihen njerëz me pushtet, ndërsa denoncimet që ne kemi bërë në vite po fshihen nga prokurorët. Në deklaratat e bëra dje protestuesit kanë lakuar emrin e dhëndrit dhe vajzës së Berishës, duke aluduar se ata kanë gisht në këto prona që po zihen. Sipas tyre, është rrethuar një sipërfaqe prej 650 ha në pyjet e Pishë Poros dhe kjo sipërfaqe po ruhet me polici private. “Ka rreth 15 të tillë që nuk lejojnë të kalojmë nga është bërë rrethimi. I pyesim dhe thonë, e di shefi. Pyesim në komunë, na thonë nuk dimë gjë, pyesim dhe nuk na sqaron njeri. Po kështu është një tjetër sipërfaqe tokë bujqësore 126 ha e tjetërsuar në Delisuf. Po luhet në kurrizin tonë dhe nuk po gjejmë dot të drejtën”, thotë një prej protestuesve.
“Ne e dimë mirë madje me dokumente të vitit 1922 që këto toka, në fshatra të Novoselës nuk kanë pronarë të tjerë veç banorët. I bëjmë thirrje atyre që bëjnë pazare në kuvend të mos luajnë me pronat tona, e të mos na i zvarritin tha një protestues tjetër. Unë kam denoncuar në prokurorinë e Vlorës dhe ai denoncim është mbyllur nga prokurorët. Nuk ka pse vjen njeri as nga Amerika dhe as nga Malësia, të zaptojë pronat tona. Ne nuk do të lejojnë njeri të prekë pronat që na takojnë me ligj. Të bëhet transparencë e plotë, pasi kemi 15 vjet që torturohemi në komisione e gjykata”,- pohuan dje protestuesit. Protesta ka zgjatur rreth një orë para godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Protestuesit thanë se ata do të vijojnë me forma të tilla, deri në bllokim të rrugës nacionale, apo përshkallëzime të të gjitha mënyrave.