Premte, 22 Gusht 2008 01:00:18
    

Lexoni versionin Print

Temperaturat, 150 të sëmurë në spitalin e Fierit

Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë shënuar rekordin 40 gradë celsius në qytetin e Fierit duke shënuar më shumë se 150 “viktima”. Shifrat janë publikuar nga burime brenda spitalit të Fierit, ku shumica e të sëmurëve janë fëmijë.

Loli Çeçoaliaj
Marte, 22 Korrik 2008 08:25:00

 

Termometri ka shënuar dje 40 gradë dhe spitali është mbushur me fëmijë e të moshuar me probleme shëndetësore

Prindërit e fëmijëve ankohen për kushtet e këqija, “janë deri në gjashtë fëmijë në një dhomë”

FIER- Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë shënuar rekordin 40 gradë celsius në qytetin e Fierit duke shënuar më shumë se 150 “viktima”. Shifrat janë publikuar nga burime brenda spitalit të Fierit, ku shumica e të sëmurëve janë fëmijë. Reparti i pediatrisë vetëm gjatë orëve të paradites, ka pritur më shumë se 110 fëmijë, 70 prej të cilëve të shtruar, ndërkohë që pjesa tjetër kanë qenë të rritur dhe kryesisht mbi 60- vjeç. Fluksi i madh i pacientëve, të cilët i janë drejtuar urgjencave të spitalit, ka ndeshur me angazhimin total të bluzave të bardha, të cilat shprehen se në një farë mënyre e prisnin një vërshim të tillë të të prekurve nga vapa.

***

“Që në orët e para të mëngjesit të sotëm (dje) është vënë re një fluks i fëmijëve në repartin e pediatrisë së spitalit të Fierit. Kryesisht simptomat janë bark e të vjella si dhe një luhatje e herë pas hershme e temperaturës. Duke parë që fëmijët që po paraqiteshin, kishin të njëjtat simptoma, menduam për ndonjë epidemi, por pas ekzaminimeve rezultoi se janë thjesht virozat e stinës që janë të stimuluara së tepërmi nga temperaturat e larta”,- pohoi dje Llambi Bogo, mjek i spitalit pediatrik të Fierit. Por ky fluks i lartë i pacientëve ka nxjerrë në dukje edhe mangësitë e shërbimit spitalor në Fier. Prindër të fëmijëve tregojnë se me gjithë gatishmërinë e mjekëve, kushtet në spital nuk janë shumë të përshtatshme, aq më tepër për të shtruar një fëmijë me ditë të tëra. “Kemi ardhur në spital me urgjencë të madhe, pasi djalit i hipi temperatura në moment. Kur erdhëm këtu të gjithë u treguan të gatshëm për të na shërbyer, por kushtet nuk janë dhe aq të mira. Shtretërit lënë për të dëshiruar, ndërkohë që për banjat as që bëhet fjalë që mund të përdoren nga fëmijët. Ndoshta kjo situatë është tani që ka dhe shumë fëmijët të shtruar, por nuk vihet në mëdyshje fakti që duhet parë çdo gjë. Unë do të marr mjekimin e fëmijës dhe do të largohem për në shtëpi, nuk mund ta lë në të tillë ambient, megjithëse vlerësoj punën e palodhur të mjekëve”,- thotë Lumturia, e cila është duke mjekuar fëmijën e saj. Ndër të tjera ajo shton se në një dhomë ka më shumë se gjashtë fëmijë, gjë që rëndon edhe më shumë situatën pasi ajri bëhet i padurueshëm në këtë vapë të madhe.

***

Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në urgjencën e spitalit, ku priten pacientët më të mëdhenj, që kryesisht janë pensionistë. Vetë një prej të sëmurëve tregon se i ka rënë të fikët gjatë momentit kur ka qenë duke luajtur domino pranë shatërvanit të Fierit. “Isha duke luajtur domino me shokët. Sapo u ngrita në këmbë mu morën mend dhe rashë pa ndjenja në tokë. Kur u përmenda u gjenda në spital. Më kishin prurë shokët. Bëra një serum dhe tani jam nën vëzhgimin e mjekëve, nuk e di për sa kohë do të qëndroj këtu”,- thotë 75- vjeçari Gori Basha, një ndër shumë të shtruarit në mjediset e spitalit të qyteti të Fierit. Ai është dërguar aty me urgjencë nga vetë shokët e tij. Mjekë të këtij spitali, e quajnë këtë periudhë të vitit si shumë të rrezikshme, kryesisht për fëmijët dhe moshat e treta, të cilët duhet të tregojnë kujdes maksimal. “Të mos dalin në diell gjatë orëve të paradites dhe të konsumojnë shumë ujë. Është kjo këshilla që u japim jo vetëm fëmijëve dhe të moshuarve por të gjithë njerëzve në përgjithësi. Këto temperatura sjellin edhe sëmundje të shumta. Moshat e treta duhet të tregojnë kujdes maksimal, pasi një goditje nga dielli mund të rezultojë edhe fatale. Vetëm sot janë paraqitur 40 raste, nga të cilët aktualisht janë duke u kuruar 29, ndërkohë që pjesa tjetër ka marrë mjekim dhe është larguar për në shtëpi”, -thotë mjeku i urgjencës Maksim Tanaka, i cili nuk ka harruar të theksojë faktin se rritja e temperaturave ka shtuar edhe simptomat e zhvillimit të sëmundjeve kardiake të cilat prekin sidomos personat mbi 40- vjeç. Nga këta të fundit janë prezantuar në spital 18 raste.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML