Përgjigjja nga Anglia ka tradhtuar kryetarin e shoqatës së kultivuesve të kërpit. Zgjidhet enigma shtatë vjeçare
SHKODËR- Në Shkodër kultivohet kërp industrial apo hashash? Prej shtatë vitesh kjo pyetje ka nisur një konflikt mes policisë e prokurorisë me banorët e zonës por dje duket se ka marrë një përgjigje zyrtare nga Anglia. Lënda që kultivohet në Shkodër është kanabis sativa dhe kjo gjë duhet ndaluar. Menjëherë pas kësaj përgjigjeje, policia ka arrestuar për të disatën herë kryetarin e shoqatës së fermerëve të Shkrelit, Martin Pëllumbi. Një ditë më parë, gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar për Martin Pëllumbin masën e sigurisë së arrestit në burg me akuzën e prodhimit e shitjes së lëndës narkotike.
Burime zyrtare të drejtorisë së policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se si rezultat i një hetimi të gjatë të prokurorisë së këtij rrethi dhe policisë, është bërë e mundur sigurimi i provave të mjaftueshme ligjore që vërtetojnë fajësinë e Martin Pëllumbit për këtë vepër penale. Çështja penale ndaj tij ka nisur në vitin 2001 por më pas u mbyll për tu rihapur në dhjetor 2005. Në atë kohë policia sekuestroi një ton bimë të tharë, që sipas saj ishte kanabis sativa dhe 15 kg fara të kësaj bime. Gjatë këtij operacioni u arrestuan Martin Pëllumbi, Alfred Mark Ulaj, Nikë Gjon Gjelaj, Lec Mark Brrakaj dhe një ditë më pas edhe Mhill Gjon Lari. Të ndaluarit pretenduan që atëherë se bima e gjetur është kërp industrial që ato e kultivonin legalisht, duke mos pranuar që ajo ishte kanabis sativa. Por pak ditë më pas ata fituan lirinë. Përfaqësuesja e akuzës, Arta Marku, ka paraqitur para trupit gjykues rezultatin zyrtar të analizave që i janë bërë bimës në laboratorin përkatës në Tiranë, sipas të cilave thuhet se bima e analizuar nuk ka përmbajtje droge, por është bimë industriale. Në rezultatin zyrtar thuhet se bima e ekzaminuar ka përqindje të vogël lëndës THC ( lëndë kjo që tregon se është drogë) dhe nuk mund të përfshihet në bimë narkotike, pra nuk ka elemente droge. Mbi bazën e saj , gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për të akuzuarit. Prokuroria nuk ka vendosur mbylljen e çështjes, pasi sipas saj, do kryhen veprime të tjera hetimore.
Hetuesit këmbëngulën gjatë në lidhje me këtë çështje pasi ata kishin bindjen që në Shkrel kultivoheshin bimë narkotike nën petkun e një aktiviteti të ligjshëm industrial. Kampionë të bimës janë dërguar për analiza më të specializuara jashtë vendit. Mësohet se kanë qenë pikërisht rezultatet e ardhura nga ekspertiza e bërë në laboratorët e specializuar në Angli ato që kanë treguar se bima është kanabis. Me këtë vërtetim në dorë, krerët e policisë dhe prokurorisë së Shkodrës nuk e kanë pasur të vështirë të kryejnë arrestimin e Martin Pëllumbit. Anila Dushi
HISTORIA
Si nisi konflikti mes fermerëve dhe shtetit
Shoqata Fermerët e Shkrelit dhe Martin Pëllumbi janë prej vitesh në konflikt me shtetin dhe policinë lidhur me kultivimin e kërpit industrial dhe akuzat që shteti i bënte se bima është kanabis sativa. Në verën e vitit 2001, më 12 korrik policia e Malësisë së Madhe zhvilloi një operacion në komunën e Shkrelit, ku gjatë një jave asgjësoi rreth 519.400 rrënjë bimë të mbjellë në tokat e fermerëve. Vetëm në parcelat e Pëllumbit policia asgjësoi 67.500 rrënjë të kësaj bime. Por ai dhe kultivuesit e tjerë deklaruan se ishin anëtarë të shoqatës së fermerëve të Shkrelit, e licencuar dhe e njohur me vendim gjykate. Fara e mbjellë prej tyre ishte sjellë nga fondacioni anglez Partneritet për Zhvillim, me të cilin kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi Pëllumbaj dhe do të eksperimentohej mbjellja e kërpit industrial në një sipërfaqe një ha të kësaj komune. Ishin 40 kg farë e sjellë nga anglezët me postë dhe e kaluar pa probleme në doganë. Ndonëse Pëllumbaj nuk u arrestua pasi ai u fsheh, ai u deklarua nga policia si kryetari i këtij grupi. Pas analizave rezultoi se bima e asgjësuar ishte kërp industrial dhe jo kërp indian që përfshihet në listën e bimëve narkotike e as më shumë nuk ishte kanabis sativa si ishte deklaruar. Përqindja e lëndës THC në kërpin e asgjësuar doli 0.095%, ndërsa që bima të quhet bimë narkotike duhet që THC të jetë 10-15 %. Pas kësaj, në gjykatë u zhvilluar një proces i cili i dha 130.000 dollarë dëmshpërblim nga Ministria e Rendit e saj kohe. Por paratë akoma nuk i kanë marrë, pasi shteti e ka apeluar çështjen në shkallë të tjera të gjyqësorit, ku kërkohet ulja e vlerës së dëmshpërblimit. Katër fermerët e ndaluar kanë marrë 700.000 lekë të gjithë bashkë, për qëndrimin pa të drejtë në burg.
DYSHIMI
Misteri i mbjelljes së kërpit në Shkrel
Vitin e kaluar janë mbjellë dy hektarë me kërp industrial por askush nuk e di ku ka shkuar ky mall pasi as është eksportuar e as magazinuar. Madje edhe farat për të nuk dihet se nga kanë hyrë pasi ligji shqiptar e ndalon këtë gjë. Sipas kryetarit të komunës Shkrel, këtë vit do mbillen 3.2 ha me kërp industrial ndërsa nuk dihet se ku ka shkuar ai i vitit të kaluar. Vitin e kaluar nuk është prodhuar as farë ndërsa policia ka monitoruar çdo parcelë dhe ka rezultuar se fara nuk është marrë. Drejtori i drejtorisë së bujqësisë, Guri Beshi, lidhur me këtë çështje shprehet se institucioni që ai drejton nuk ka kompetencë për të dhënë licencë. Sipas tij, duhet propozuar ndalimi i kultivimit të kërpit industrial, ndërsa shpjegon se kjo bimë futet në familjen e kanabis sativës por dallohet nga përqindja e TCH që tek kërpi nuk duhet të jetë mbi 0.1 %. Fara e saj ka ardhur fillimisht nga jashtë vendit por ka tre vjet që është ndaluar futja e saj në Shqipëri. Janë 33 fermerë që kanë deklaruar mbjelljen e kërpit industrial në parcelat e tyre.
Asgjësohen dy parcela me kanabis sativa
Policia e Shkodrës ka zbuluar dhe asgjësuar bimë narkotike në fshatin Nikç të komunës së Këlmendit, ndërsa ka vënë në pranga dhe sekretarin e komunës, pasi në oborrin e banesës së tij janë gjetur 19 rrënjë bimë kanabis sativa. Gjelosh Preldakaj, 50 vjeç, me detyrë sekretar i komunës Këlmend është arrestuar nga policia rreth orës 15.45 të ditës së djeshme. Ai ka qenë i shpallur në kërkim që me 18.7.2008, pasi në oborrin e banesës së tij polica ka gjetur e asgjësuar 19 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Ndërkohë në Gjirokastër kanë asgjësuar 49 rrënjë kanabis sativa. Lënda narkotike e mbjellë është gjetur në fshatin Peshtan në Stanin e Bathishtit në Tepelenë, në mes të një zone të pyllëzuar. Të 49 rrënjët e kanabisit me një gjatësi deri në 200 cm, kanë qenë të mbjella brenda stallës që shërben për grumbullimin e kopesë së dhenve në orët e natës. Policia nuk ka arritur të identifikojë ndonjë person që mund të kishte kultivuar këto bimë gjatë momentit të zbulimit të tyre. Ndërkohë bimët janë asgjësuar në vend me anë të djegies dhe disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale.