Kryeministri ka qetësuar ujërat, duke i kënaqur nga pak të gjitha palët. Ndryshimet e kabinetit do bëhen në shtator
TIRANË- Përballë kërkesës së republikanëve për të bërë ndryshimet në qeveri brenda korrikut, por edhe me zërat që sa vijnë e shtohen brenda PD-së për riformatim të kabinetit, kryeministri Sali Berisha duke zgjedhur heshtjen publike, por edhe në forumet partiake, ka gjasa që këtë lëvizje ta bëjë në fund të shtatorit. Burime nga PD thanë dje për gazetën se shefi i qeverisë pritet të lërë pezull çdo lëvizje të mundshme, për t’iu rikthyer kësaj çështjeje vetëm në muajin shtator. Kjo në fakt kushtëzohet edhe nga koha e pakët që ka mbetur në dispozicion pasi nëntë ditët e mbetura deri në fund të korrikut, janë një kohë e pamjaftueshme për të realizuar të gjitha procedurat, edhe nëse emrat e atyre që do të ikin dhe atyre që do të vijnë të jenë gati të hedhur në letër. Nëse sot kryeministri Sali Berisha do të vendoste për ndryshimet në qeveri, atëherë ato duhet të kalojnë në disa hallka, duke filluar nga mbledhja e forumeve të partisë e deri tek firma që Presidenti i Republikës, Bamir Topi duhet të hedhë, afati për të cilën Kushtetuta ia lejon deri në 7 ditë.
Loja e Berishës
Por qëndrimi krejt i heshtur i kryeministrit Berisha për çështjen në fjalë, në fakt po mban pezull edhe aleatët postet e të cilëve janë përfolur për ndryshime. Kështu demokristianët, ashtu si edhe reformatorët duket se po presin një përgjigje vetëm në muajin shtator, përpos qëndrimit të shprehur se do të shohin pozicionin e tyre në rast se do të ketë lëvizje. Në anën tjetër edhe republikanët, të dorëzuar tashmë nga ultimatumet, janë të bindur dhe shprehen jo zyrtarisht se këto ndryshime do të bëhen në shtator. Por ajo çka republikanët i mban me shpresë, është pikërisht fakti se, sipas tyre, kryeministri Sali Berisha u ka premtuar se do t’u japë përgjigje brenda pak ditëve se cilën prej tre ministrive do të gëzojnë. Duke pritur qëndrimin e këtij të fundit, republikanet shprehen se përgjigja e tij duhet të jetë brenda këtij sesioni, ndërsa ndryshimet mund të shtyhen për në muajin shtator. Pra republikanet kërkojnë më parë që të sigurohen për ministrinë, ndërsa mund të vazhdojnë të qetë deri në shtator për të menduar për emrat konkretë. Përpos kësaj konjunkture që kryeministri Berisha po luan nga të gjitha anët me të vegjlit, së fundmi, në “tavë” kanë hyrë edhe deputetët mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano, një lëvizje kjo e Berishës për t’i treguar aleatëve se PD i ka votat për qeverinë e re. Me pak fjalë, kryeministri Berisha është ndër të vetmit në PD që e ka fort të qartë se kur do të bëjë lëvizjet për ndryshimet në qeveri. Deri atëherë aleatët do të shamatohen me njëri-tjetrin duke dalë edhe me qëndrime surprizë.
Kryesia e PR-së
Kryesia e Partisë Republikane i kërkoi dje zyrtarisht Berishës një nga tre ministritë: Shëndetësinë, Arsimin ose Bujqësinë. Forumi i republikanëve e ngushtoi rrethin e ministrive që pretendonte, ndërsa kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të aleatëve të tjerë të demokratëve, PDK-së dhe PDR-së. PR, në mënyrë të veçantë, me daljet publike të kryetarit të Asamblesë së saj, Sabri Godo, i ka lëshuar ultimatume publike Kryeministrit që ndryshimet në qeveri të bëhen brenda korrikut. Por kryesia e djeshme vendosi jo zyrtarisht që ky afat të shtyhej deri në shtator. Pa dalë zyrtarisht me emra, PR e ka gati një listë emrash ku përfshihen kandidatë të grupit parlamentar, kryesisë së PR-së dhe intelektualë, por që në parti janë anëtarë të thjeshtë. Në rast se kryeministri Berisha vendos për Ministrinë e Shëndetësisë, në media është hedhur emri i Anila Godos për ta drejtuar, një mjeke profesioniste kjo, të cilën republikanët nuk e mohojnë, por as e pohojnë. Në të njëjtën kohë, republikanët shprehen se kanë një listë emrash edhe për dy ministritë e tjera, Arsimin dhe Shëndetësinë.
------------------
Tre deputetët e mazhorancës figurojnë në grupin më të ri parlamentar në një shkelje të plotë të Rregullores. Duhet të njoftonin 6 muaj më parë për largimin
Grupi i “Qendrës”, Berisha“kërcënon” aleatët me votat e Nanos
TIRANË- Paralel me debatet brenda të djathtës për ndryshimet në qeveri një lëvizje krejt e papritur u zyrtarizua dje në Kuvendin e Shqipërisë. Katër ish-mbështetësit e Fatos Nanos, që një vit më parë votuan Bamir Topin President dhe u përjashtuan nga Partia Socialiste, shpallën publikisht krijimin e një grupi të ri parlamentar. Të katërt, padyshim që nuk mund të krijonin grupin e ri parlamentar. Ndaj, vetë Partia Demokratike dhe ajo Republikane u dhanë deputetë borxh në një moment jo pak delikat brenda të djathtës, me ndryshimet e pritshme në qeveri. Një grup parlamentar që do të cilësohet si grupi i parlamentar i “Qendrës” dhe krejt i stisur në rast se do t’i referohemi emrave që e përbëjnë. Kështu listës së katër deputetëve që plot një vit më parë shpëtuan mazhorancën në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Paulin Sterkaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa dhe Durim Lamaj i janë bashkangjitur edhe deputetë të mazhorancës. Në këmbim, një grup në mbështetje të qeverisë në votime të rëndësishme, për të treguar se PD nuk ka nevojë për votat e aleatëve problematikë. Logjika të çon pikërisht këtu, në rast se i referohemi emrave që përbëjnë grupin parlamentar. Në listën e deputetëve është emri i republikanit Alfred Gega, përfshirja e të cilit është bërë me pëlqimin e plotë të PR-së, duke qenë se këta të fundit kanë interes që të kalojë emri i tyre në kohën kur në Kuvend do të votohet dekreti për ndryshimet në qeveri. Emri tjetër është ai i deputetit demokristian Pashk Ujka i cili, nisur nga lëvizjet politike në PDK nuk do ta kishte aspak problem që të votonte kundër një zëvendësimi të mundshëm të kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, nga posti i Ministrit të Shëndetësisë. Pashk Ujka është shkarkuar nga posti i kryetarit të grupit parlamentar i PDK-së, pikërisht pas kontradiktave që kishte me kryetarin e partisë, por edhe më një pjesë të lidershipit të saj. Por në bazë të Rregullores së Kuvendit, për të formuar një grup parlamentar nevojiten plot 7 deputetë. Ndaj në këmbim të votave për qeverinë, PD e ka gjetur zgjidhjen duke futur një emër të deputetit të tyre, në listën e këtij grupimi, pikërisht deputetin nga Durrësi, Flori Bajramaj.
Shkelja e Rregullores
“Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”,- thuhet në pikën 2 të nenit 15 të Rregullores. Një klauzolë kjo, që në fakt vë në dyshim mënyrën se si është formuar aq nxitimthi grupi i ri parlamentar. Supozojmë që katër deputetët e përjashtuar nga PS plot një vit më parë e kanë bërë një gjë të tillë. Por ajo që bie në sy dhe jo pak, është shkelja e Rregullores nga tre deputetët e mazhorancës. Pashk Ujka, gjashtë muaj më parë, ka qenë kryetar i grupit parlamentar i PDK-së, ç’ka në fakt përjashton çdo mundësi që ai ta ketë bërë një kërkesë për një grupim tjetër që në atë kohë, siç e parashikon edhe rregullorja. E njëjta gjë vlen edhe për deputetin Flori Bajramaj. Ky i fundit, deri dje në mbrëmje, në sitin zyrtar të Kuvendit, figuron në listën e grupit parlamentar të Partisë Agrare Ambientaliste. Me largimin e këtij të fundit, në fakt rrezikohet edhe PAA, që mbetet me 6 deputetë. Edhe Alfred Gega figuron si deputet i grupit parlamentar i PR-së, ndërsa më ndryshimet e papritura të ditës së djeshme të dy deputetët, si Gega, ashtu edhe Bajramaj, figurojnë në letër në një tjetër grupim.
---------------------
Shkelja e Rregullores:Pika 2 e nenit 15 të Rregullores
Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit.
Në sitin zyrtar të Kuvendit
6 muaj më parë:
Pashk Ujka, kryetar i grupit parlamentar i PDK
Deri dje në mbrëmje:
Flori Bajramaj, anëtar i grupit parlamentar i PAA-së
Alfred Gega, anëtar i grupit parlamentar i PR-së
----------------------------
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka reagon pas vendimit zyrtar të kryesisë së PR-së
Ndoka: PR të përballet me drejtësinë për Gërdecin
TIRANË- Vetëm pak minuta pas vendimit zyrtar të Partisë Republikane se Ministria e Shëndetësisë është një nga tre dikasteret që republikanët kërkojnë për t’u rikthyer sërish në qeverisje, ka reaguar edhe ministri aktual i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ky i fundit, në një deklarim për mediat është shprehur se prioritet i republikanëve duhet të jetë pikërisht ballafaqimi i saj me Drejtësinë, për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Ndoka ka kujtuar gjithashtu se republikanet dolën nga qeverisja pikërisht nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Gërdec, nga ku humbën jetën 26 persona. Në të njëjtën kohë, kryetari i PDK-së dhe njëkohësisht Ministër i Shëndetësisë, ka sqaruar se partia që ai kryeson e ka mbështetur PR-në si pjesë e qeverisjes. “Ajo që është e rëndësishme, besoj edhe për opinionin publik, është se PR doli nga qeverisja pasi pati një incident të rëndë në Ministrinë që drejtohej nga ajo. Pra, nuk ishte shkaku PDK. Po kaq e rëndësishme është që vetë PR të ruajë qetësinë dhe të ketë një lloj reflektimi dhe përgjegjësie, mund të them politike dhe morale. Ka një akuzë dhe një përballje me drejtësinë dhe kjo është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi me prokurorinë duhet të jetë prioritet i Partisë Republikane”,- tha dje Ndoka i pyetur mbi vendimin zyrtar të PR-së për t’i kërkuar Berishës edhe postin e Ministrit të Shëndetësisë. Ndërsa reformatorët ndryshe nga dy ditë më parë, dje kanë qëndruar në heshtje, duke iu shmangur jo pak interesimit të medias. Dy ditë më parë, nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu deklaroi se republikanët ishin parti parlamentare me votat e Dushkut dhe se dalja e tyre nga qeveria nuk ishte faj i reformatorëve.