Pas prishjes së kabinave në plazhin e Vlorës,25 familje presin një tjetër strehë
VLORË- Dhjetëra fëmijë në plazhin e vjetër e kalojnë natën në qiell të hapur prej tre ditësh. Pas prishjes së kabinave njëkatëshe që ndodheshin në këtë plazh, fëmijët janë njësoj të penalizuar me familjarët e tjerë, për të jetuar në çadrat e ngritura provizorisht. Natyrisht që jetesa nën qiell të hapur nuk mund të quhet një aventurë e këndshme për fëmijët, orët e natës te të cilët kanë nisur të krijojnë ngarkesa negative. Dy nga fëmijët tregojnë se flenë në një makinë, motër e vëlla, përkatësisht 5 dhe 3 vjeç, ndërsa më keq ka rënë shorti për dy fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, që flenë me të ëmën e tyre në një çadër, me dysheme rërën e detit. Vetë familjarë pohojnë se nuk dinë ku të shkojnë, pas prishjes së kabinave, pasi nuk kanë asnjë alternativë strehimi.
Të rriturit janëtë rezervuar në deklarimet që bëjnë, pasi nën zë pohojnë se disa prej tyre mund të strehohen në kabinat trekatëshe, por kjo jo për të gjithë. Janë gjithsej 25 familje në Plazhin e Vjetër, të cilat po i kalojnë netët jashtë. Gjithçka është kryer për rehabilitimin e plazhit, ndërkohë që nuk dihet ende sa prej familjeve do të hyjnë në skemën e strehimit pranë kabinave trekatëshe. Në ditën kur u prishën kabinat e plazhit të vjetër, drejtori i shërbimeve në bashkinë e Vlorës, Ardian Musta, pohoi se do të sistemohen vetëm ata që kanë patur dokumentacionin dhe kanë paguar qeranë, ndërsa nuk do të përfshihen ata që ishin futur forcërisht në kabinat njëkatëshe.