Policia zbulon motivin e vrasjes: një sherr për fërkimin e makinave. Ervis Sapaj sapo kishte përcjellë të fejuarën në shtëpi
TIRANË- Autorët e vrasjes së 27-vjeçarit Ervis Sapaj janë ende të lirë.Megjithëse policia e Tiranës identifikoi dy autorët menjëherë pas krimit, nuk ka mundur t’i kapë ata. Arben Doçi, 27-vjeç, dhe Shukri Danxi, 26-vjeç, dyshohet se janë dy personat që masakruan me kaçavidë moshatarin e tyre Ervis Sapaj. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në qendër të Paskuqanit në Tiranë, kur Sapaj u godit në kokë me kaçavidë nga dy personat, duke gjetur vdekjen sapo mbërriti në spital. Policia mundi të zbulonte motivin dhe autorët e ngjarjes. “Dëshmitarët treguan se Sapaj dhe dy autorët e dyshuar, Doçi e Danxi, janë grindur pas një fërkimi që pësuan automjetet e tyre. Dy personat goditën me kaçavidë në kokë 27-vjeçarin, i cili ndodhej brenda në automjet”, -thanë për “Shekullin” burimet zyrtare të policisë së Tiranës.
Hetimi
Një prej autorëve të dyshuar të masakrimit të 27-vjeçarit Ervis Sapaj kishte qenë kontingjent policie. Arben Doçi, i cili banonte vetëm 200 metra larg vendit ku kreu krimin dy ditë më parë, ka qenë i dënuar për një tjetër vrasje. Burimet policore i thanë “Shekullit” se Doçi ka vuajtur dënimin në burg dhe më pas është lënë i lirë, ndërsa nuk kërkohej nga policia deri dy ditë më parë ku emri i tij doli fill pas krimit që ndodhi në qendër të Paskuqanit të shtunën. Policia tha se Doçi nuk posedonte armë. Ata mbanin me vete një kaçavidë, e cila konsiderohet nga policia si armë e ftohtë me të cilën i shkaktuan dhe vdekjen Ervis Sapajt, vetëm pak javë para martese. Një sherr banal irritoi dy shokët duke i çuar në përdorimin e kaçavidës me të cilën ata kanë goditur disa herë në kokë moshatarin e tyre, i cili ndërroi jetë pas disa minutash.
Viktima
Policia deklaroi se edhe Ervis Sapaj i cili mbeti viktimë i një sulmi me kaçavidë kishte qenë më parë i dënuar. Ai qëndroi për rreth një vit në qeli pasi akuzohej për grabitje me armë, që sipas të njohurve të tij ai nuk e kishte kryer një vepër të tillë. “Sapaj nuk kishte nevojë për të vjedhur pasi gjatë gjithë ditës merrej me disa aktivitete private. Të gjithë në lagje e njihnin si një djalë të urtë, i cili shikonte punën e tij”- tha një shok i viktimës. 27-vjeçari Sapaj dy ditë më parë po kthehej nga banesa e të fejuarës së tij dhe kur ndodhej në qendër të Paskuqanit është përballur me një tjetër automjet që sipas dëshmitarëve e ka parakaluar dhe për pasojë ka ndodhur një fërkim. Kaq ka mjaftuar që dy personat që ndodheshin në automjetin tjetër të nisin grindjen me Sapajn, i cili fillimisht nuk u ka dhënë përgjigje. Fjalët e ndërsjellta u kanë lënë radhën grushteve mbi 27-vjeçarin Sapajn, i cili më pas u godit për vdekje me kaçavidë. Ndërkohë që pasditen e djeshme, trupi i pajetë i Ervis Sapaj u përcoll për në banesën e fundit. Dhimbja për humbjen e djalit të vetëm në rrethana banale ka shokuar jo pak familjarët e tij të cilët kishin nisur përgatitjet për dasmën e tij. Ervisi do martohej në 15 shtator të këtij viti. “Nëna babai, motra dhe e fejuara e Ervisit kanë pësuar gjendje shoku. Vetëm pak metra larg banesës së Ervisit ku gjëmonte kuja për vdekjen e tij po zhvillohej një dasmë muzika e së cilës dëgjohej deri në banesën ku ishin hapur dyert e mortit. Kjo gjë ka shkaktuar jo pak dhimbje të familjarët e Evisit, të cilët prisnin ta bënin dhëndër”, -tha një banore e lagjes Allias ku banonte 27-vjeçari.
“Nëna, babai, motra dhe e fejuara e Ervisit kanë pësuar gjendje shoku. Vetëm pak metra larg banesës së Ervisit ku gjëmonte kuja për vdekjen e tij po zhvillohej një dasmë muzika e së cilës dëgjohej deri në banesën ku ishin hapur dyert e mortit. Kjo gjë ka shkaktuar jo pak dhimbje të familjarët e Evisit, të cilët prisnin ta bënin dhëndër” -tha një banore e lagjes Allias ku banonte 27-vjeçari.