Shtune, 06 Shtator 2008 02:11:43

Lexoni versionin Print

Pronat në Velipojë, peng i uzurpimeve

Problemi i pronave vazhdon të jetë shqetësues për banorë të komunës së Velipojës , të cilët ende nuk kanë gjetur zgjidhje për atë që e quajnë uzurpim të tokës nga persona të tjerë e për të cilën përballen me indiferentizmin e shtetit.

Anila Dushi
Hene, 21 Korrik 2008 08:38:00

 

Problemi i pronave irriton banorët e Velipojës: Ne jemi pronarë, të tjerë njerëz përfitojnë nga tokat tona

Pronarët autoktonë akuzojnë shtetin se tregohet indiferent ndaj abuzimeve me tokat në bregdet

SHKODËR- Problemi i pronave vazhdon të jetë shqetësues për banorë të komunës së Velipojës , të cilët ende nuk kanë gjetur zgjidhje për atë që e quajnë uzurpim të tokës nga persona të tjerë e për të cilën përballen me indiferentizmin e shtetit. “Në rast se shteti shqiptar nuk ndërhyn për zgjidhjen e problemit të pronësisë, atëherë do jemi të detyruar ta zgjidhim atë invidualisht, pavarësisht nga pasojat”,- deklarojnë disa prej banorëve të Velipojës. Ata kanë dokumentacionin e pronësisë së tokës në bregdet, por persona të tjerë janë vendosur aty. Tonin Vata, Luigj e Mark Matusha, Dedë Kroi, Gjobalin Zekaj janë disa nga pronarët e ligjshëm të tokave në këtë zonë, të cilët denoncojnë uzurpimin e pronave të tyre. Tonin Vata shprehet se: “po përplasemi të vetëm me ata që nuk janë pronarë dhe shteti nuk ndërhyn për të bërë asgjë“. Sipas tij, janë disa nga familjet autoktonë të kësaj zone turistike që kanë trashëguar toka, por që ato janë zëna nga të tjerët dhe problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

Matushajt , Metbeqajt, Dedë Kroi, Kol Tusha e Gjovalin Zekaj historikisht kanë patur prona dhe kanë jetuar në Velipojë. Familja Matushaj e cila ka prona në Veliojë tregon se e ka të pamundur t’i marrë ato, pasi janë zënë nga të tjerët.“Kemi qenë disa herë në komunë , kemi lajmëruar dhe policinë por në tokën tone ndërtohet sot e kësaj dite dhe askush nuk i pengon . Madje punohet dhe natën. Që nga viti 1947 e deri në vitin 1991 kemi qenë kulakë, të burgosur , të shpronësuar e të persekutuar, pasi kishim tokën që na e mori shteti. Kështu vazhdojmë të jemi dhe sot”,-thotë kryefamiljari Mark Matusha. Familja Matusha ka privatizuar 8700 metër tokë në vitin 1994 në fshatin Pulaj, tek stallat e fazanëve që ishin ndërtuar në pronën e tyre, por aty tashmëjanë vendosur banorë të ardhur nga zonat e thella malore. Të tjerë pronarë tokash në Velipojë shtojnë se edhe pse tokat u nda nga shteti shqiptar sipas ligjit 7501 , përsëri pronarëve legjitimë në komunën e Velipojës nuk u është rikthyer asnje metër tokë nga ajo se çfarë u takon.

Pronarët e vjetër nuk kanë përfituar asgjë, megjithëse i kanë kërkuar komunës së Velipojës të ndërhyjë për pastrimin e tokave nga ndërtimet pa leje. “I kërkojmë qeverisë shqiptare dhe kryeministrit shqiptar të merren me problemin e Velipojës, të hapen dosjet e Velipojës dhe t’i kthehen tokat pronarëve . Nuk është e drejtë të marrin tokë ato që nuk kanë patur kurrë tokë këtu , ndërsa ne, pronarët e ligjshëm të rrimë e të shohim si pasurohen të tjerët me pronën tonë”- shprehen banorët e Velipojës . Problemi i pronësisë së tokës në Velipojë, veçanërisht në fshatrat Pulaj, Baks , Rrjoll etj, që kanë detin fare afër dhe shfrytëzohen për zona turistike, vazhdon të mbetet pezull, duke mbajtur peng dhe e ligjërimin e ndërtimeve të bëra në plazh, mbi 90% e të cilave janë pa leje . Në vitin 2006, katër zyrtarë të agjencisë së kthimit e kompensimit të pronave u arrestuan me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës lidhur me tokat në Velipojë. Të gjithë ata morën pafajësinë, ndërsa problemi i pronës në këtë zonë turistike zvarritet pa fund, në dëm të pronarëve të ligjshëm.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML