Flakët janë diktuar nga pjesëmarrësit në një funeral. Ndërhyrja e zjarrfikëses minimizoi dëmet
GJIROKASTËR-Varrezat civile në Gjirokastër shpëtojnë mrekullisht nga flakët e zjarrit. Ka qenë ora 10 e mesditës së të dielës, kur flakët e zjarrit janë dukur në pjesën e poshtme të varrezave, fill pas zhvillimit të një ceremonie mortore. Të parët që dhanë alarmin kanë qenë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, të cilët kanë ndikuar në fillim për të minimizuar flakët, por kur ato janë bërë të dhunshme, grumbulli i njerëzve është larguar me vrap nga frika. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e zjarrfikëseve, të cilët kanë mundur të kontrollojnë situatën brenda 30 minutave. Rreth 1.5 e parcelës së varrezave civile është vënë nën flakë, duke shkaktuar dëme tek dhjetëra varre të braktisura prej kohësh.
Sipas punonjësve të zjarrfikësve të Gjirokastrës, nëse gjendja do të vazhdonte të ishte e njëjtë, atëherë do të rrezikohej e gjitha hapësira e varrezave civile. “Qirinjtë e ndezur janë burimi kryesor i shfaqjes së flakëve ditën e djeshme dhe për këtë i është bërë apel familjarëve të viktimave t’i shuajnë ato pasi rreziku është prezent”,-është shprehur shefi i zjarrfikësve të Gjirokastrës, Lefter Qirici. Edhe në të kaluarën është vërejtur një fenomen i tillë, por gjithmonë zjarrfikëset janë treguar vigjilente për lokalizimin e flakëve të zjarrit. Varrezat e qytetit të Gjirokastrës ndodhen në të dalë të qytetit, në pjesën fushore të luginës së lumit Drino. Mjaft herë shoqatat ambientaliste lokale kanë kërkuar nga pushteti lokal instalimin e një hidranti për të qenë eficent në rastet e tilla, kur zjarret ndizen nga pakujdesia e njerëzve.