Shtune, 06 Shtator 2008 02:09:00

Lexoni versionin Print

“Prifti punonte si taksist për të larë borxhet”

Është e diel, por kisha është e mbyllur. Në mungesë të shërbesave fetare, banorët e fshatit Karavasta të Lushnjes diskutojnë për lajmin më të fundit: arrestimin e priftit të tyre.

Hene, 21 Korrik 2008 08:19:00

 

Fëmijët e priftit të arrestuar pranojnë se babai i tyre transportonte emigrantë, por shtojnë se ai nuk e dinte nëse ishin klandestinë

LUSHNJE- Është e diel, por kisha është e mbyllur. Në mungesë të shërbesave fetare, banorët e fshatit Karavasta të Lushnjes diskutojnë për lajmin më të fundit: arrestimin e priftit të tyre. Për të siguruar bukën e fëmijëve, prifti i Karavastasë, i arrestuar për trafik klandestinësh bënte edhe shoferin e taksisë. Kështu pohojnë banorët e fshatit Karavasta, të cilët flasin mjaft mirë për priftin e tyre, Mihal Shuli. Të gjithë e dinë se ai transportonte njerëz, ndonjëherë edhe emigrantë me makinën e tij, por shtojnë se këtë punë e bënte për të shlyer borxhet që kishte marrë për ndërtimin e shtëpisë. “Para viteve 2000, At Mihali është marrë me transport refugjatësh, pasi ishte shumë dobët ekonomikisht. Por ai nuk ka shfrytëzuar askënd. Ai i çonte me makinën e tij deri në kufi, kundrejt pagesës”,-pohojnë banorët e fshatit që tashmë ka mbetur pa prift.

 

Shtëpia e priftit të Karavastasë ndodhet në hyrje të fshatit. “At Mihali ka marrë borxh tek miqtë e tij për të ndërtuar këtë shtëpi. Ndaj edhe punonte si taksist me makinën e tij “Audi”, për të shlyer borxhet”,-thonë banorët e fshatit. Në Karavasta mësojmë se këto dy ditët e fundit, policia ka qenë prezente në fshat, por nuk ka gjetur asgjë. Në shtëpinë e priftit të arrestuar ndodhen dy fëmijët e tij, ndërsa bashkëshortja ka ikur në kërkim të një avokati. “Babai ka mbaruar studimet për teologji dhe që prej vitit 1999 punon në kishën e Karavastasë. Të shtunën ai ishte në Mitropolinë e Beratit prej nga u kthye dhe shkoi të takonte disa shokë. Banorët e fshatit na thanë se policia e kishte arrestuar në lokal”,-tregon i biri, Marko Shuli. Ai shton se policia kontrolloi edhe shtëpinë, por nuk gjeti asgjë që të komprometonte babanë e tij.

 

“Kërkojmë drejtësi për babanë. Ai nuk ka bërë asgjë të keqe, përveçse ka punuar për të na rritur ne. Si shumë shqiptarë të tjerë ka punuar, për të mbajtur familjen e tij”,-shton i biri i At Mihalit. Lidhur me akuzën e trafikut të klandestinëve, i biri sqaron se babai i tij ka çuar njerëz në Korçë apo Gjirokastër, me makinën të cilën e përdorte edhe si taksi. “ Ku e dinte babai im, nëse emigrantët që çonte me makinë në kufi kishin apo jo dokumente”,-shton i biri i priftit të arrestuar, duke sqaruar se Mihal Shuli merrte para vetëm për shërbimin “taksi” që ofronte. Prifti i fshatit të Karavastasë u arrestua së bashku me 9 persona të tjerë nga policia e Korçës, grup ky që akuzohej për trafik klandestinësh në drejtim të Greqisë. Operacioni u krye të shtunën, ku u prangosën 10 veta që dyshohet se janë implikuar në këtë rrjet trafiku.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML