Shtune, 30 Gusht 2008 06:20:06

Lexoni versionin Print

Ligji i ri, spitalet bëhen me pagesë

Sistemi Shëndetësor do të funksionojë krejt ndryshe nga sistemi aktual. Nëse nuk je i siguruar nuk do të marrësh asnjë shërbim shëndetësor pa pagesë, përveç urgjencës.

Eglantina Bardhi
Hene, 21 Korrik 2008 08:24:00

 

Sipas projektligjit të hartuar nga ISKSH-ja dhe MSH, të pasiguruarit do të paguajnë në spitale, dhe për çdo shërbim. Ja risitë

Sistemi Shëndetësor do të funksionojë krejt ndryshe nga sistemi aktual. Nëse nuk je i siguruar nuk do të marrësh asnjë shërbim shëndetësor pa pagesë, përveç urgjencës. Kështu, projektligji i ri për Sigurimet Shëndetësore i hartuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë parashikon disa risi që do të aplikohen në këtë sektor. Në projektligj shpjegohet për paketën e shërbimeve që mbulohen nga shërbimi i detyrueshëm dhe për paketën e shërbimeve suplementare.

Ndërsa mjekët e Qendrës më të madhe spitalore në vend, kanë shpjeguar për gazetën domosdoshmërinë e futjes së spitaleve në skemën e Sigurimeve Shëndetësore.

Paketat e shërbimeve

Paketa e sigurimit të detyrueshëm përfshin gradualisht mallra dhe shërbime shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor, kujdesin shëndetësor të specializuar, kujdesin spitalor, barna, aksesorë, furnizime sekondare dhe transportin mjekësor. Pra, kjo do të thotë se personat që paguajnë Sigurimet Shëndetësore do të përfitojnë këto shërbime falas, në të kundërt, do të paguajnë për to, me përjashtim shërbimin e urgjencës. Gjithashtu edhe lista e barnave të rimbursueshme është pjesë e paketës dhe hartimi i saj i besohet një komisioni teknik, i caktuar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe i miratuar nga Këshilli Administrativ. Ndërsa sigurimi suplementar lidhet tërësisht me tregun privat. “Është vendosur që sigurimi suplementar të mos jetë i njëjtë me sigurimin e detyruar. Pra, shërbimin bazë do ta financojë vetëm sigurimi i detyrueshëm, kurse sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar i cili do të marrë përsipër të financojë ose të blejë ato shërbime të cilat nuk i mbulon fondi bazë e që janë të përcaktuara shprehimisht në ligj”,- bëhet e ditur në projekt-ligj duke shtuar se ndër to mund të përmenden shërbimi stomatologjik, protezat, shërbimet e syzeve optike, ndërhyrjet e kirurgjisë plastiko-estetiste etj.

Spitalet në skemë

Nëse ka arritur të zësh ndonjë shtrat spitali dhe shërbimi shëndetësor kundrejt ligjit është ofruar falas, kjo nuk do të ndodhë më as në spitale dhe as në shërbime të tjera. Në këtë mënyrë projektligji parashikon se në vitin 2009, në të gjithë sistemin shëndetësor do të aplikohet Skema e Sigurimeve Shëndetësore. Kjo do të thotë se, kush paguan Sigurimet Shëndetësore merr shërbim falas, ose kundrejt një përqindje simbolike, ndërsa të tjerët do të paguajnë mjekët me para në dorë. Fakti se të gjithë marrin shërbim të njëjtë në spitale, pra, si personat e siguruar edhe të pasiguruarit, është kundërshtuar vazhdimisht nga shefat e shërbimeve në QSUT duke e konsideruar këtë skemë, shkakun kryesor të futjes së spitaleve në kaos total.

Profesorët, për spitalet në skemë

Mustafa Xhani

“Fakti që spitalet nuk janë në Skemën e Sigurimeve Shëndetësore, është handikapi më i madh që po i ndodh sistemit tonë shëndetësor dhe kjo është arsyeja kryesore që pacientët tanë nuk marrin shërbimin që meritojnë dhe spitalet janë në gjendje të mjerueshme”.

Nestor Thereska

“Me këtë përqindje sigurimesh që derdhen aktualisht, nuk mund të mbahet as sistemi parësor dhe as sistemi spitalor. Ka ardhur koha për ata që nuk paguajnë sigurimet, të mos iu rimbursohen shërbimet shëndetësore, në të kundërt, kurrë nuk do të kemi një sistem shëndetësor të shëndoshë dhe në funksion të pacientëve”.

Alketa Koroshi

“Nuk është logjike që të marrin të njëjtin shërbim, si ata që derdhin para çdo muaj për Sigurimet Shëndetësore, si ata që nuk paguajnë fare. Më pak se 30% e popullsisë paguan sigurime shëndetësore, në një kohë që të gjithë kërkojnë shërbim të rimbursuar”.

Arben Baboçi

“Kërkohet medoemos të bëhet një reformë, ku të futen Sigurimet Shëndetësore në spitale. Sigurisht që kjo nuk do ta zgjidhë situatën për 2-3 vjet, por do të fillojë të japë rezultate të paktën pas 5 vitesh”.

Paketa e shërbimeve të detyrueshme

Kujdesin shëndetësor parësor

Kujdesin shëndetësor të specializuar

Kujdesin spitalor, barna, aksesorë

Furnizime sekondare, dhe transportin mjekësor

Lista e barnave të rimbursueshme

Paketa e shërbimeve suplementare

a. Rehabilitimin, me përjashtim të shërbimit bazë, shërbimet në qendrat

klimaterike.

b. Kujdesin dentar, me përjashtim të kujdesit bazë.

c. Protezat dhe aparate, me përjashtim të atyre bazë.

d. Pajisjeve për dëgjimin dhe blerjen e syzeve.

e. Trajtime dhe ndërhyrje për qëllime kozmetike, përveç atyre bazë.

f. Trajtim ambulator dhe ndërhyrjet pa rekomandimin e mjekut, të kërkuara nga

vetë individi.

g. Vizitat mjekësore në shtëpi, kur nuk përbejnë urgjencë mjekësore, që bëhen me

kërkesën e individit.

h. Kontroll mjekësor sistematik vjetor i kryer nga punëdhënësi për punëmarrësit e tij.

i. Shërbimet tekniko-laboratorike ose shërbime të tjera mjekësore të kërkuara nga

individi ose persona fizikë a juridikë.

j. Lëshimi i vërtetimeve personale, ose i dokumenteve mjeko-ligjore dhe

tekniko-administrative, me kërkesën e personit.

k. Fekondimi in-vitro.

l. Ndërhyrje kirurgjikale për ndërrimin e seksit.

m. Shërbime të tjera shëndetësore të parashikuara me Vendim të Këshillit të

Ministrave.

Drejtoresha e ISKSH-së, Hana shpjegoi statusin që do të kenë institucionet publike. Në ligjin e ri edhe sigurimet private të shëndetit

Hana: Ja si do të funksionojë sistemi shëndetësor

Eglantina Bardhi

Qëllimi i projektligjit është realizimi i financimit të shërbimeve shëndetësore nëpërmjet sistemit të sigurimeve të detyrueshme shëndetësore. Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji, do të arrihet akses i plotë i skemës së Sigurimeve Shëndetësore në të gjitha shërbimet shëndetësore. Kështu u shpreh Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana në një intervistë për “Shekullin”, e cila shpjegoi risitë e këtij projektligji dhe statusin e ri që do të marrin institucionet shëndetësore.

Sipas projektligjit të ri, si do të funksionojë sistemi publik shëndetësor?

Projektligji synon ndryshimin e statusit ligjor dhe financiar të institucioneve shëndetësore. Institucionet shëndetësore përfshirë këtu spitalet publike, poliklinikat, qendrat shëndetësore, fitojnë pavarësi reale ligjore e financiare. Ato ruajnë në mënyrë të padiskutueshme karakterin publik. Shteti, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë i krijon, i licencon, i regjistron, i mbikëqyr dhe monitoron cilësinë e shërbimit. Nga ana tjetër ato fitojnë personalitet juridik, kanë llogari të veçantë bankare duke patur kështu të drejtën për të kontraktuar me Sigurimet Shëndetësore për shitjen e shërbimeve të tyre. Dhe jo vetëm kaq, por këto institucione me anë të përfaqësuesve ose organizimeve të tyre kanë të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe negociatave, për të gjitha çështjet që lidhen me dhënien e shërbimit shëndetësor dhe të financimeve të tij. Duke vepruar në mënyrë të pavarur, synohet që këto institucione të krijojnë tregun real të shërbimeve shëndetësore, që sjell në mënyrë të padiskutueshme, rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e aksesit të popullatës ndaj këtij shërbimi. Projektligji gjithashtu synon shndërrimin e ISKSH-së në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Do të jetë një Fond i ndarë nga Buxheti i Shtetit, që do të sigurojë fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri maksimale të të siguruarve që kanë derdhur kontribute pranë tij.

Po sa i takon sektorit privat, çfarë parashikon projektligji i Sigurimeve Shëndetësore?

Një pikë mjaft e rëndësishme është se projektligji synon rregullimin më të plotë ligjor të çështjes së sigurimeve private në Shqipëri. Kështu, është parashikuar që sigurimi suplementar shëndetësor mund të ofrohet nga persona juridikë të regjistruar në gjykatë dhe në shoqëri të ndërsjella shëndetësore. Ky sigurim lidhet tërësisht me tregun privat. Është vendosur që sigurimi suplementar të mos jetë i njëjtë me sigurimin e detyruar.

A do të ketë selektim të dhënësve të shërbimeve të kontraktuar?

Sigurisht që po. Projektligji krijon mundësi që Fondi të jetë selektiv në përzgjedhjen e atyre institucioneve dhënëse të shërbimit shëndetësor, me të cilat do të kontraktojë për blerjen e paketës së shërbimeve. Procesi i selektimit bëhet nëpërmjet zbatimit të kritereve dhe të procedurave transparente, duke mbajtur parasysh nevojat shëndetësore të popullsisë dhe të drejtën e tyre për akses në shërbimet shëndetësore të paketës që mbulon shërbimi shëndetësor i detyrueshëm. Fondi krijon dhe rregullon marrëdhënie me dhënësit e shërbimeve, bazuar mbi termat dhe kushtet e kontratave respektive dhe ankesave të tyre. Procesi i kontraktimit do të bëhet vetëm me dhënësit e shërbimit shëndetësor të cilët janë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në nevojat e kujdesit shëndetësor për popullatën.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML