DURRËS- Kultivimi i narkotikëve në rrethin e Durrësit është kthyer në një problem serioz pasi nga dita në ditë policia zbulon parcela të ndryshme me hashash. Në hartën e kultivuesve tashmë ka hyrë edhe Ishmi, komunë ku policia ka arrestuar një kultivues 75- vjeçar. Forcat e policisë së Durrësit, pasi kanë siguruar informacion në rrugë operative, për një parcelë të vogël të mbjellë me bimë narkotike në fshatin Bizë të komunës Ishëm, kanë shkuar atje. Burime nga grupi i policëve që kanë marrë pjesë në operacion pohuan se kanë konstatuar në afërsi të tokës së një banori një parcelë e vogël e mbjellë me kanabis sativa. Ajo është korrur dhe pasi janë mbajtur procesverbalet përkatëse është asgjësuar në vend me anë të djegies. Ndërkohë kanë kërkuar se kush kishte bërë mbjelljen e bimës narkotike dhe pasi kanë bërë verifikimet përkatëse kanë përcaktuar se parcela i përkiste shtetasit Mark Dema. Sasia e rrënjëve të kanabis sativës ishte rreth 43 bimë të mbjella në 200 m2 parcelë, të fshehur në thellësi të pyllit të Ishmit. I moshuari ishte pa precedentë penalë dhe njihej si njeri që gëzonte reputacion në fshatin e Bizës. Pak orë më pas ai është arrestuar.