TIRANË- Agjencitë postare ndërkombëtare janë kthyer kohët e fundit edhe në “shërbim” të trafikantëve të drogës dhe armëve, të cilët kanë arritur të gjejnë një rrugë për të sjellë sendet e ndaluara nga vende të ndryshme të botës në Shqipëri. Rasti i fundit, që u zbulua nga skaneri i aeroportit ishte ajo e pakos së nisur nga qyteti i Amersforit të Holandës, ku shtetasi nga Elbasani, Agim Shëngjoni me qëndrim në Holandë si emigrant, i kishte postuar që andej tre pistoleta një thikë dhe 314 fishekë për në Shqipëri. Por, nuk është ky rasti i parë që nga jashtë territorit shqiptar vjen apo niset një kuti postare me armë apo drogë, pasi në fillim të këtij viti prokuroria shqiptare në bashkëpunim me homologët e tyre fqinjë zbuloi dhe arrestoi pritësin e një sasie droge të nisur nga Brazili. Drogë, e cila kishte si destinacion Shqipërinë dhe më pas vendet perëndimore. Gjithashtu, po në fund të vitit të kaluar, policia shqiptare arrestoi edhe dy raste të tjerë ta postimit të drogës nga vendet e ndryshme në Shqipëri, që rezultuan me arrestimin e pritësve dhe pronarëve të saj.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas informacioneve të ardhur nga zyrat e doganës në Tiranë, se në një kuti të ardhur nga Holanda ka sende të dyshimta organizoi identifikimin e tyre dhe pritësin e kësaj pako. Sipas hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Agim Shëngjoni, prej disa vitesh lëvizte pa dokumente të rregullta në vende të ndryshme të Evropës, si Itali, Gjermani, Belgjikë dhe në fillim të këtij viti në Holandë. Ku pas qëndrimit në këtë vend për disa muaj dhe largimit të tij prej shumë vitesh nga Shqipëria kishte vendosur të kthehet në atdhe. Por, para se të nisej për në Shqipëri, Shëngjoni kishte kontaktuar me disa shtetas rusë në tregun e zi të qytetit të Amersforit të Holandës, nga të cilët kishte blerë tre pistoleta, dy të tipit “Broëing” dhe një “Colt”. Përveç tyre ai kishte blerë edhe një sasi prej 314 fishekësh dhe një thikë. Pasi i kishte blerë këto sende të paligjshme, ishte drejtuar në zyrat postare të agjencisë T.N.T. në qytetin Amersforit të Holandës, ku në një pako kartoni i kishte paketuar tre pistoletat, fishekët, thikën një laptop dhe disa rroba për t’i fshehur armët. Në mandat pagesën e dërguesit, i pandehuri Shëngjoni kishte përdorur emrin e rremë, Artur Deja, ndërsa si pritës kishte dhënë adresën e plotë të shtëpisë së banimit në Elbasan dhe në emrin e tij.
Dorëzimin e pakos i pandehuri e ka bërë më datë 14 prill të këtij vitit dhe në anën tjetër është nisur me makinën e tij drejt Shqipërisë. Me datë, 16 prill i pandehuri ka arritur në Elbasan pranë familjes, ku në të gjitha pikat e kalimit kufitar ai kishte përdorur metodën se “nuk kam dokumente dhe po kthehem në Shqipëri”. Ndërkaq, kutia postare ka mbërritur në zyrat e doganës së Tiranës më datë 17 prill, ku nga kontrollorja me skaner e kësaj zyre janë identifikuar sendet e dyshimta në pako. Menjëherë, është lajmëruar policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda të cilët kanë vazhduar operacionin për dorëzim të kontrolluar. Nga Tirana në drejtim të Elbasanit, është dërguar pakoja me datë 17 prill pasdite, duke lajmëruar familjen e të pandehurit se ka ardhur një pako për ato. I pandehuri, mëngjesin e datës 18 prill, i shoqëruar nga babai dhe vëllai i tij, ku kanë kërkuar të tërheqin pakon e nisur nga Holanda në agjencinë postare të këtij qyteti por që janë prangosur. Pas arrestimit, prokuroria vendosi të lirojë si të pa përfshirë në këtë trafik babain dhe vëllanë e Agim Shëngjonit, ndërsa vetë ai merret i pandehur ku pas përfundimit të hetimit dosja u dorëzua për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila pritet që të caktojë trupin gjykues dhe filloi shqyrtimin gjyqësor.