SHKODËR- Prej 15 vitesh banorë të fshatit Hajmel të komunës me të njëjtin emër kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Kjo pasi që nga viti 1993, ujësjellësi që furnizonte këtë fshat është jashtë funksionit . Për rehabilitimin e tij, mësohet se nga komuna ka një projekt por fondet mungojnë. Sipas zyrtarëve të komunës Hajmel, fondet e dhëna për këtë komunë janë shumë të pakta dhe kështu investimet janë të pamundura. Përveç ujësjellësit të Hajmelit, i cili është me rëndësi jetike për rreth 1000 banorët e këtij fshati, problem shqetësues që kërkon zgjidhje sa më të shpejtë është dhe shtrimi i shtatë kilometrave rrugë automobilistike që lidh qendrën e komunës dhe të fshatrave të tjerë të saj merrugën automobilistike nacionale. Edhe për këtë projekti është i hartuar por fondet mungojnë. Vetë komuna nukka të mundur që me fondet e saj të bëjë ndërtimin e rrugës, pasi të ardhurat që ajo siguron janë shumë të pakta. Komuna e Hajmelit ka rreth 6000 banorë dhe është tepër e varfër. Këtë vit të ardhurat e grumbulluara nga taksa e tokës janë rritur me 50 për qind dhe arrijnë deri në 300.000 lekë të reja, por kjo është e pamjaftueshme për të ndërhyrë në investime tëmëdha për të cilat ka nevojë komuniteti. Banorët e komunës së Hajmelit kanë probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Sipas tyre, ndërprerjet e energjisë elektrike shkojnë deri në tetë orë në ditë.