I pandehuri Avni Koldashi shpërthen në gjykatë: Kam ndihmuar për zbulimin e së vërtetës, akuzohem pa të drejtë
TIRANË- Ish-shefi i vëzhgimit në SHIK-un e Tiranës, Avni Koldashi, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës “shpërtheu” dje para togave të zeza, duke deklaruar se procesi ndaj tij është i montuar dhe me motive politike. “Për shoqërimin e shtetasve Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha, unë kam zbatuar vetëm urdhrat e dhënë nga eprorët e mi, detyra të cilat i kam kryer me përpikëri dhe zbatimi i këtyre urdhrave më ka sjellë mua para gjykatës si i pandehur. Veprime të njëjta me ato që kam kryer unë, kanë kryer edhe gjysma e punonjësve të SHIK-ut të Tiranës që kanë punuar në atë kohë në terren. I bie që ata të arrestohen dhe të sillen të pandehur për atë që kanë bërë”,-tha Koldashi i irrituar, duke iu drejtuar prokurorit të çështjes, Xhevat Hana. Në deklaratën e tij emocionale, Koldashi renditi në 10 pika arsyen se pse prokuroria nuk duhet ta kishte marrë si të pandehur, pasi sipas deklarimeve të tij, ka treguar vetëm të vërtetën duke ndihmuar kështu edhe organin e akuzës me dëshminë e tij.
***
“Unë jam gabimisht këtu, në bankën e të pandehurve, pasi jam i pafajshëm dhe nuk ekziston asnjë fakt apo provë e bazuar në ligj që më përfshin mua në këtë akuzë të rrëmbimit të personit. Marrja e personit tim të pandehur në këtë çështje, është tërsishtë çështje e manipuluar dhe politike, e cila është sajuar nga persona që iu intereson, pasi unë në dëshmitë e mia kam treguar vetëm të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe nuk kam qenë unë i interesuari për moszbardhjen e dosjes. Jam ai që kam kërkuar dhe dëshmuar për të zbuluar të vërtetën”,-tha i pandehuri Koldashi, duke shtuar se: “nuk jam unë ai që dua të fsheh ngjarjen, por të tjerët që më akuzojnë se paskam shpifur”. Gjatë deklaratës prej gjashtë faqesh, të shkruar me makinë të vjetër shkrimi, Koldashi kërkoi ndihmë nga institucionet më të larta të shtetit dhe drejtësisë, për zbardhjen e të vërtetës. “Me anë të kësaj deklarate publike, kërkoj ndihmë nga institucionet më të larta të shtetit, drejtësisë dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që të më ndihmojnë dhe të ndikojnë në pafajësinë time, pasi unë kam treguar vetëm të vërtetën, që kam zbatuar urdhrat e eprorëve për shoqërimin e Remzi Hoxhës e Ziso Kristopullit, ndërsa shtetasin Avdyl Loshaj nuk e kam njohur dhe nuk e njoh”-tha i pandehuri Koldashi, duke renditur persekutimet e familjes së tij nga koha e regjimit të Enver Hoxhës.
***
Gjatë gjithë kohës së leximit të deklaratës së tij, i pandehuri Koldashi ndiqej me sy nga avokati i të pandehurit që mungonte në sallën e gjyqit, Arben Sefgjini. “Jam arrestuar njëherë për këtë rast dhe tani përsëri, po për të njëjtat fakte dhe prova më sillni këtu para gjykatës si i pandehur. Nuk e kuptoj kush është apo kush fshihet pas prokurorisë në këtë rast, pasi për të njëjtën vepër penale nuk mund të gjykohesh dy herë dhe unë për këtë paraburgim që kam mbajtur në kundërshtim me ligjin jam dëmshpërblyer nga dy shkallët e gjykatave”,-tha Koldashi. Në fund të fjalës së tij, i pandehuri Koldashi i kujtoi trupit gjykues të drejtuar nga kryesuesi Xhelal Elezi se që nga vitit 2003 kur ka bërë deklaratat e para prokurorisë kanë filluar kërcënimet dhe presionet në forma të ndryshme ndaj tij. “Që nga vitit 2003 e deri sot, vazhdoj të marr presione dhe kërcënime të ndryshme nga persona të organizuar që janë të interesuar që unë të mos flas për këtë çështje. Kërkoi drejtësi dhe jo mëshirë nga gjykata”,-tha në fund të fjalës së tij, Avni Koldashi.
Avokati i Sefgjinit
“Akuzat e ngritura ndaj Arben Sefgjinit janë amnistuar dhe kjo dosje duhet të pushojë së gjykuari. Hapja e dosjes për rihetimin e kësaj çështjeje, u bë nga përfshirja në lojëra të politikës e organit të akuzës, konkretisht e Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky proces ka prapavijë politike nga personat e interesuar që të hedhë tym mbi zyrtarë të lartë të shtetit dhe i tillë ka qenë Arben Sefgjini. Kërkoj që gjykimi i kësaj dosjeje të bëhet me dyer të mbyllur”,-tha avokat Zef Nika.
Avokati i Kumbaros
“Në kushtet kur Ilir Kumbaro është deklaruar në mungesë dhe gjykimi i tij kështu do të vazhdojë, kërkoj nga Gjykata të pezullojë procesin gjyqësor ndaj tij për mungesë të informacioneve në lidhje me ekzistencën apo jo të tij. Kanë kaluar 6 vite dhe nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me Ilir Kumbaron, ku më lind dyshimi të them se ai mund të mos ekzistojë apo mund të jetë bërë i papërgjegjshëm. Prandaj kërkoj pezullimin e gjyqit që t’i kërkohet policisë verifikimin dhe zbulimin e të dhënave të reja rreth tij”-tha avokat Remzi Ponari.
Avokati i Koldashit
“Avni Koldashi ka qenë punonjës dhe zyrtar i lartë i SHIK-ut të Tiranës, ku gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka respektuar ligjet dhe urdhrat e eprorëve të tij. Ky proces i ngritur ndaj tij, është i pabazuar në ligj dhe prova, pasi është vetë Koldashi i cili ka deklaruar të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Të gjithë provat që do sjellë organi i akuzës do të vërtetojnë pafajësinë e klientit tim”,-tha avokat Hasaf Hadëri.