Kreu i bandës së kredive i shpëtoi prangave. Analistja e kredive, në arrest shtëpie, të tjerët në qeli
Prokuroria: Gjashtë të pandehurit bashkëpunuan me analisten e kredive për të falsifikuar kreditë
TIRANË- Kreditë false alarmojnë sërish prokurorinë e Tiranës. Brenda vitit të fundit, Task-Forca ka arritur të arrestojë tre grupe “mashtruesish”, të cilët me anë të dokumenteve të falsifikuara përvetësonin kredi në shuma të ndryshme parash. Sipas burimeve zyrtare pranë prokurorisë së kryeqyteti, prokurori Gentian Osmani, me ndihmën e hetuesve të zyrës, ka arritur që brenda afatit kohor prej 9 muajsh të zbardhë dhe dokumentojë tetë rastetë përvetësimit të kredive nga 6 të arrestuarit e dy ditëve më parë me anë të dokumenteve të falsifikuara. Sipas këtyre burimeve, gjashtë të pandehurit: Fatmir Kasalla, Rexhep Zhegu, Agim Xhika, Agim Karamuça, nën drejtimin e Edmond Gjilanit dhe me ndihmën e analistes së kredive Brunilda Muho, kanë arritur të përfitojnë rreth 165 mijë eurove.
***
“Nga hetimet e deritanishme rezulton që shtetasi në kërkim, Edmond Gjilani, në bashkëpunim me të arrestuarën Brunilda Muho, me detyrë analiste e kredive tek banka “Procredit Bank” ka bërë të mundur nxjerrjen e kredive të shtetasve të ndryshëm në këmbim të përfitimeve monetare. Për nxjerrjen e tyre përdoreshin dokumente të falsifikuara dhe emra të personave fiktivë, duke i vendosur si garanci pasurore pasuritë e paluajtshme të tyre, pa dijeninë e pronarëve”,-thuhet nga këto burime. Mësohet se në këtë mënyrë, i pandehuri Gjilani ka ndërmjetësuar në tetë rastet tek analistja e kredive Muho, duke u dhënë kredi personave të ndryshëm, të gatshëm për t’u bërë pjesë e mashtrimit.“Nga hetimet ka rezultuar se Fatmir Kasalla, Rexhep Zhegu, Agim Xhika dhe Agim Karamuça kanë përfituar kredi me dokumente të falsifikuara, si dhe kanë luajtur rolin e ndërmjetësuesve në nxjerrjen e kredive tek personat e tjerë në këmbim të përfitimeve monetare. Nga hetimet dhe kallëzimet e deponuara në prokurori ka rezultuar se gjashtë të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar edhe persona të ndryshëm, duke u vënë pasuritë e tyre si kolateral për tërheqjen e kredive pa dijeninë e tyre”,-thuhet nga burimet e prokurorisë.
***
Ndërkaq, zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme konfirmoi se ndaj gjashtë të arrestuarve me kërkesë të prokurorisë së Tiranës është caktuar në mungesë edhe masa e sigurisë ndaj tyre, që në orët e vona të ditës së martë janë ekzekutuar këto urdhra-arresti. “Më 15 korrik të këtij viti, prokurori i çështjes, Gentian Osmani, i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet caktimin e masave të sigurimit ndaj të dyshuarve për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit me kredi”. Ndaj të arrestuarit Edmond Gjilani, Rexhep Zhegu, Agim Xhika dhe Agim Karamuça është kërkuar dhe vendosur nga togat e zeza masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa ndaj shtetasve Brunilda Muho dhe Fatmir Kasalla është kërkuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, vendime këto që tashmë janë ekzekutuar nga policia. I dyshuari Edmond Gjilani ka mundur t’i shpëtojë arrestimit të policisë”,-thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas këtyre burimeve, katër kallëzimet janë kryer nga bankat dhe shtetas të ndryshëm, të cilëve u është përdorur prona pa dijeninë e tyre nga të arrestuarit. Këto kallëzime sipas akuzës, janë verifikuar dhe më pas është regjistruar procedimi penal, ku janë kryer një sërë veprimesh hetimore që kanë konsistuar në akte-ekspertime, marrje deklarimesh, përgjime dhe administrimi i një sërë provash shkresore.
Kallëzimet
Më datë 22.06.2007, nga banka “Procredit Bank” është regjistruar procedimi penal me nr. 2371 për veprën penale të “Mashtrimit me Kredi”
Më datë 19.07.2007, është regjistruar procedimi penal nr. 2715 për veprën penale të “Mashtrimit me Kredi”
Më datë 18.10.2007, është regjistruar procedimin penal me nr. 3895 për veprën penale të “Mashtrimit me Kredi”
Më datë 04.04 2008 është vendosur bashkimi i këtyre procedimeve penale, pasi janë evidentuar se janë të njejtët persona që kryejnë këto mashtrime
Më 15.07.2008 është vendosur caktimi i masave të sigurisë nga Gjykata e Shkallës së Parë për gjashtë të arrestuarit
PRECEDENTI
Zhegu, i arrestuar më parë për kreditë false
TIRANË- Rexhep Zhegu i arrestuar dy ditë më parë, sipas prokurorisë ka qenë proceduar dhe arrestuar në vitin 2007 për përvetësim të kredive me dokumente të falsifikuara. Ai mësohet të ketë përdorur të njëjtën skemë mashtrimi, nëpër filiale të ndryshme të bankave në vend. Sipas njoftimit të policisë që mban datën 20 qershor 2007, RexhepZhegu është arrestuar bashkë me shtetasin Ramazan Leka për marrjen e kredisë prej 45 milionë lekëve të vjetra në vitin 2005, me anë të dokumenteve të falsifikuara. Sipas akuzës, në kohën kur banka kishte kërkuar kontaktin me kredimarrësit për pagesat e radhës, ata kishin ikur pa lënë gjurmë ndërsa në pronën që ata kishin lënë si garanci, banka kishte kuptuar se ishte mashtruar nga kredimarrësit, pasi prona ishte e personave të tjerë. Pas kallëzimit në prokurori, të dy kredimarrësit janë hetuar dhe me zbulimin e vendndodhjes së tyre ata janë arrestuar, por kanë dalë nga qelia vetëm pas pak kohësh.