Arta Selimi kishte shkuar në plazhin e Shëngjinit prej dy ditësh së bashku me familjen
LEZHË. Dy ditë pas mbërritjes në plazhin e Shëngjinit për të kaluar pushimet së bashku me familjen e saj, një vajzë 15 vjeç nga Kosova ka gjetur vdekjen pas mbytjes në det. Kjo është dhe viktima e parë e shënuar gjatë këtij sezoni plazhi në Shëngjin ndërkohë që vitet e tjera janë shënuar disa raste të tilla. Burime nga drejtoria e policisë së Lezhës, bënë të ditur për gazetën se viktima e mbytjes në det Arta Selimi, kishte dy ditë që kishte mbërritur për të kaluar pushimet në plazhin e Shëngjinit.
Por pikërisht dje, rreth orës 15.00, sapo ka hyrë në ujë për disa metra në këmbë, me sa duket e pamësuar me detin, me mbërritjen e një thellësie që e kalonte shtatin e saj, e ka humbur ekuilibrin dhe më pas është përpëlitur duke thirrur për ndihmë në ujin që thuajse e kishte mbuluar, por që ka gjetur vdekjen në pamundësi shpëtimi. Disa pushues dhe të afërmit e saj që e kanë parë teksa mbytej kanë kërkuar dhe ndihmën e policisë, dhe disa prej uniformave blu që i shërbejnë këtij plazhi kanë hyrë në ujë duke e nxjerrë 15- vjeçaren në gjendje kome nga uji. Më pas e kanë nisur me urgjencë për në spitalin e Lezhës por ajo ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Trupi i saj gjendet në morgun e këtij spitali në pritje të tërheqjes nga familja për ceremonialin mortor që do t’i bëhet në vendlindje.