Temperaturat e larta por edhe pakujdesitë e kanë kthyer Gjirokastrën në një “vatër” të madhe zjarresh
GJIROKASTËR- Katër vatra zjarri janë shënuar brenda harkut kohor të 24 orëve të fundit në rrethin e Gjirokastrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Rasti i parë u evidentua në brezin kufitar ndërmjet fshatrave Llongo e Llovinë në komunën Dropull i Sipërm. Zjarri është evidentuar në vendin e quajtur “Ajo Sotira”. Pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës dhe ato të Janinës si dhe uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër,, vetëm pas katër orësh është bërë e mundur shuarja e zjarrit. Nga flakët është shkrumbuar një sipërfaqe prej shtatë hektarësh tokë e papunuar. Mësohet se shtetasi Kristo Vaso, 58 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Llovinë të komunës Vrisera të rrethit Gjirokastër, ishte duke korrur barin me zetor dhe gjatë korrjes makineria e korrjes së barit është fërkuar me gurë duke krijuar shkëndija dhe për pasojë parcela me bar ka marrë flakë.
Shtetasi Kristo Vaso nuk i ka vënë re në momentin e parë dhe si pasojë e erës së fortë zjarri mori përmasa të mëdha duke e bërë të pamundur fikjen nga ana e tij. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 53-vjeçari do të ndiqet në gjendje të lirë penalisht për akuzën “Shkatërrim i pronës me zjarr nga pakujdesia”. Ndërkaq, dy raste të tjera janë shënuar në qytetin e Gjirokastrës, ku një banesë e pabanuar në lagjen “Varosh” është djegur si dhe një tjetër është rrezikuar në lagjen “Kodra e Shtufit”. Rasti i katërt është shënuar në vendin e quajtur Votuca, ku për shkak të terrenit të thyer, flakët e zjarrit kanë përshkuar sipërfaqe të konsiderueshme.