I mituri Alban Dyrmishi ishte duke punuar arën dhe pas një debati është larguar. I ati e gjen të vetëvarur në një pemë
GRAMSH- Një 16- vjeçar është vetëflijuar duke u vetëvarur në pemë pas një grindjeje me të atin për motive banale. Rreth orës 18.00 të ditës së djeshme, në Komisariatin e Policisë së Gramshit është njoftuar se në fshatin Zgjubë-Kodër në komunën Sultë të rrethit të Gramshit është gjetur i vetëvarur një i mitur. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme kur Alban Dyrmishi, 16 vjeç, ishte duke punuar me babanë e tij në arë ku edhe ka pasur një debat për punën.
Askush nuk do ta kishte besuar se i mituri do të prekej aq shumë pas këtij debati saqë për të lënduar prindin do të ndërmerrte aktin e vetëvrasjes. Djali është larguar për një moment nga ara ku ishte duke punuar së bashku me të atin dhe pas disa minutash kur ky i fundit ka nisur ta kërkojnë e ka gjetur të varur në një pemë afër shtëpisë së vjetër. Edhe pse ka nxituar ta zbresë nga laku i litarit, për 16- vjeçarin nuk ka pasur më asnjë shenjë jete. Tragjedia ka prekur thellë familjen por edhe banorët e Gramshit. Mosha e mitur e djalit dhe arsyeja e vetëvrasjes së tij kanë tronditur thellë bashkëmoshatarët e 16- vjeçarit. Ai jetonte së bashku me familjen në qytetin e Gramshit, ndërkohë që ruanin edhe pronën në fshatin Zgjubë ku edhe u regjistrua ngjarja e rëndë. Mësohet se një grup i uniformave blu ka mbërritur në mbrëmje në vendin ku ishte regjistruar ngjarja.
Pasi janë kryer veprimet e para procedurale konfirmohet vetëvrasja e të miturit. Ndërkohë babai i tij i gjendur përballë kësaj tragjedie të rëndë do të duhet të dëshmojë edhe në lidhje me shkakun e vetëvrasjes së të miturit. Nga burimet e policisë mësohet se babai i 16-vjeçarit ka thënë se debati ishte fare banal dhe nuk ka ndodhur asgjë e rëndë për të justifikuar veprimin e djalit. “Nuk mund ta pranoj që djali im u vetëvra për një debat për kopshtin. Debatet me fëmijët janë normale por se do të arrinte t’i jepte fund jetës në atë mënyrë dhe në ato çaste kurrë nuk do ta mendoja”,- tha babai i tij. Vetëm katër ditë më parë një 19- vjeçare i dha fund jetës me kallashnikov në qytetin e Cërrikut. Ndërkohë disa raste vetëhelmimesh që janë shënuar ditët e fundit në qytetin e Elbasanit e kanë bërë situatën disi alarmante.