Enjte, 20 Nentor 2008 18:45:18

Lexoni versionin Print

Vendimi, si regjistrohet prona me probleme

Të gjithë ata individë apo familje që zotërojnë një pronë të ligjshme, por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të përcaktojnë kufijtë e saj, do të mund ta regjistrojnë atë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive.

Fejzi Braushi
Enjte, 10 Korrik 2008 08:34:00

 

Vendosen rregulla për të gjithë ata që zotërojnë prona të ligjshme, por që s’kanë mundur të përcaktojnë kufijtë e saj

TIRANË- Të gjithë ata individë apo familje që zotërojnë një pronë të ligjshme, por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të përcaktojnë kufijtë e saj, do të mund ta regjistrojnë atë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive. Kjo pasi qeveria ka miratuar dje propozimin e Ministrit të Drejtësisë për përcaktimin e procedurave të reja të regjistrimit të pasurive për të gjitha ato raste kur pronarët, për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët, nuk mund të sigurojnë dot deklaratën noteriale për të vërtetuar kufijtë. Nëpërmjet këtij vendimi, Ministria e Drejtësisë, nga e cila varen hipotekat, kërkon t’i japë zgjidhje të gjitha pengesave të hasura gjatë zbatimit deritanishëm të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe ndërveprimin midis Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurisë dhe atyre lokale.

Qëllimi

Me anë të këtij vendimi bëhet përcaktimi i detajuar i fazave që do të përshkojë procesi i regjistrimit të pronës së paluajtshme të individëve apo personave juridikë privatë ose shtetërorë që zotërojnë dokumente me anë të të cilave vërtetojnë pasurinë mbi pasuri të paluajtshme, por pa mundur të vërtetojnë sipërfaqen e plotë të saj. Për këtë arsye, me anë të këtij vendimi listohen një sërë dokumentesh ligjorë dhe teknike që duhet të paraqesë një i interesuar në hipoteka për të regjistrimin e pasurisë. Siç edhe pasqyrohet në relacionin shoqërues të këtij vendimi, nga zbatimi i ligjit në praktikë, janë verifikuar raste të shumta në të cilat marrja e deklaratës noteriale ka qenë e pamundur. Kjo për shkak se në disa raste si pronar kufitar i pronës së kërkuesit ka qenë një institucion apo ent shtetëror, çka e ka bërë të pamundur marrjen e një deklarate të tillë. Në këtë rast, nëpërmjet ndryshimeve të miratuara dje, deklarata noteriale është zëvendësuar me vetëm një konfirmim zyrtar nga titullari i njësisë vendore ose i entit shtetëror, sipas rastit. Gjithashtu zgjidhje i jepet edhe të gjitha atyre rasteve të shumta kur kërkuesi si subjekt i interesuar për regjistrimin e pronës, për shkak të marrëdhënieve jo të mira me pronarin kufitar apo për shkak se personi kufitar është vetëm posedues i pronës, nuk arrin të sigurojë një deklaratë noteriale ku të vërtetohen si të pranuar kufijtë e pronës.

Zgjidhja

Për zgjidhjen e këtyre situatave është përcaktuar zhvillimi i një procedure me të cilën synohet zëvendësimi i deklaratës së pronarit kufitar. Kështu, sipas kësaj procedure, kur deklarata e fqinjëve të pasurisë për arsye të ndryshme objektive nuk është bërë e mundur, ZRPP afishon për të gjitha palët e interesuara, por edhe për publikun e gjerë, në ambientet e saj, si dhe në ambientet e njësisë së qeverisjes vendore, genplanin apo planvendosjen e pasurisë për një afat kohor prej 45 ditësh. Për zhvillimin e procedurës së afishimit është e nevojshme që kufiri i pasurisë të përputhet me kufirin që tregojnë dokumentet e marra nga arkivi teknik i ndërtimit. Në rast se ky kufi nuk përputhet, nuk zhvillohet procedura e afishimit dhe nga ZRPP refuzohet regjistrimi. Në rast se brenda afatit 45 ditor asnjëra prej palëve nuk paraqet ndonjë pretendim, atëherë pronari, në bazë të kërkesës së bërë, regjistrohet. Por në rast se pronari kufitar (ai që ka një pronë që kufizon me pronën tënde) brenda këtij afati paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, hipoteka refuzon regjistrimin.

Hipoteka, brenda 30 ditëve nga kërkesa

TIRANË- Brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, Zyra për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme është e detyruar që të marrë vendimin për dhënien ose jo të Certifikatës së Pronësisë, ose siç njihet ndryshe të Hipotekës. Përjashtim do të bëjnë vetëm rastet kur ka pasur problematikë dhe kur ka qenë e nevojshme afishimi i genplanit. Me anë të këtij përcaktimi kohor Ministria e Drejtësisë kërkon që të detyrojë ZRPP-në që të marrë një vendim për kërkesën e paraqitur brenda një afati sa më të arsyeshëm, në mënyrë të që të shmangen zvarritjet në pafundësi të procesit të regjistrimit të pasurive. Për të gjitha rastet kur ka probleme pas afatit 45 ditore që është përcaktuar për afishimin e genplanit, në rast se nuk ka pretendime nga palët, ZRPP brenda pesë ditëve të ardhshme do të hartojë në dy kopje një procesverbal, ku do të përshkruhen procedurat e kryera. Në vendimin e miratuar nga qeveria përcaktohet gjithashtu se kur në kufijtë e pronës janë prona të individëve të cilët nuk e kanë të regjistruar atë në ZRPP, deklarata noteriale e pronarit kufitar do të zëvendësohet me deklaratën noteriale të poseduesit të asaj pasurie. Ndërkohë, në rast se kërkuesi zotëron dokumente pronësie vetëm për objektin, pra ndërtesën dhe jo për sipërfaqen e tokës, atëherë ZRPP-ja do të procedojë me regjistrimin vetëm të objektit.

Tabelë

Dokumentet për regjistrimin fillestar të pronës:

Dokumentin (aktin e fitimit të pronësisë) të regjistruar ose të paregjistruar në Regjistrin Hipotekor.

Deklarata noteriale të pronarëve të pasurive kufitare që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohen nga kërkuesi.

Planvendosjen ose genplanin i pasurisë.

Dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë që pretendohet.

Mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit.

Tabelë

Dokumentet për regjistrimin e objektit që nuk ka të përcaktuar sipërfaqen:

Planvendosjen apo genplanin e truallit mbi të cilin ndodhet objekti, sipas kufizimeve që tregon dokumenti i pronësisë.

Planvendosjen apo genplanin i cili tregon pozicionin gjeografik të objektit për të cilin është paraqitur kërkesa.

Deklaratë noteriale të pronarëve kufitarë


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Dosjet e pronesise ne Hipoteken e Tiranes

Thaçi nga Anglia: Kosova e vendosur për Eulex me 4 pika

20/11/08 13:10:00 | Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pjesë e delegacionit..

Bakojanis: Greqia së shpejti do ta njohë Kosovën

19/11/08 17:58:00 | Shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis theksoi se Greqia së..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML